Ambasada amerikane uron Shqipërinë për 28 Nëntorin, mesazhi i Marco Rubios: Partneriteti ynë i bën qytetarët më të sigurt

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përcjellë urimet për shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada ka publikuar mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili shpreh urimet më të përzemërta për popullin shqiptar në këtë ditë të veçantë.
Në mesazhin e tij, Rubio vlerëson marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke theksuar se ato janë ndërtuar mbi sigurinë e përbashkët, begatinë ekonomike dhe lidhjet mes dy popujve.
Ai mirëpret gjithashtu thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me SHBA-në në çështjet e rëndësishme të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
“Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt”, thuhet në mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit.
Rubio nënvizon se ky bashkëpunim përfshin edhe përpjekjet e përbashkëta për t'u përballur me kërcënimet që vijnë nga grupet kriminale ndërkombëtare, kartelet e trafikut të drogës dhe personat që bashkëpunojnë me to.
Një tjetër çështje e rëndësishme e përmendur në mesazh është siguria kibernetike. Sipas Rubios, të dyja vendet po vijojnë përpjekjet për t'u përballur me kërcënimet në hapësirën kibernetike, ndërsa Shqipëria po rrit aftësitë e saj në këtë drejtim.
Në përfundim të mesazhit, Sekretari amerikan i Shtetit shpreh dëshirën për thellimin e mëtejshëm të të gjitha aspekteve të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat i cilëson si reciprokisht të dobishme.


