VOA: Asnjë përpjekje për gjetjen e personave të zhdukur në komunizëm

Aktualitet

VOA: Asnjë përpjekje për gjetjen e personave të zhdukur

Familjarë të viktimave dhe të zhdukurve në komunizëm për shkak të bindjeve politike u takuan të mërkuren në Shkodër me përfaqësuesin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, në përpjekje për identifikimin dhe gjetjen e vendvarrimeve të tyre, të fshehura nga regjimi komunist.

Luigj Ndou, që përfaqëson Shqipërinë në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, thotë se deri tani nuk ka patur përpjekje të organizuara, që do të çonin në identifikimin e personave të zhdukur. Ndaj, Komisioni po punon për ndërgjegjësimin e publikut dhe përfshirjen e familjarëve të viktimave në këtë proces të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare.

Zoti Ndou i tha Zërit të Amerikës se, nga raportimet e familjarëve, janë evidentuar deri tani edhe një numër vendvarrimesh.


“Ka të paktën 27 vendvarrime, ku është përcaktuar qartë lokacioni i vendndodhjes së mundshme, por nuk ka patur asnjë zhvarrin në këto vende. Këto të dhëna janë marrë qoftë nga dëshmitarët, të cilët kanë bërë përpjekje për të gjetur të afërmit e tyre, apo qoftë në bazë të dokumentacionit që është gjetur nëpër arkiva të ndryshme”.

Mes familjarëve të të zhdukurve gjatë periudhës së komunizmit është edhe Ndoc Vat Gjoni nga Pulti i Dukagjinit. Ai thotë se, pas vitit 1991, familja e tij nisi kërkimet për gjetjen e eshtrave të të afërmit të tyre, por pa sukses pasi mungonin dëshmitë dhe të dhënat arkivore.

“Kam djalin e axhës të zhdukun. Është vra në vitin 1952 në përpjekje me forcat e sigurimit në fshatin Kurte. Kemi ba shumë përpjekje për gjetjen e eshtnave të tij dhe nuk i kemi gjetë deri sot. Edhe sot vazhdojmë me u përpjekë”.Edhe Ndoc Çulaj, me familjen e tij nga Malësia e Madhe, pas vitit 1991 nisi kërkimet për gjetjen e vendvarrimit të 6 familjarëve të pushkatuar gjatë viteve të komunizmit.

“Nga dega e familjes tonë janë pushkatu gjatë regjimit komunist 6 persona, nga të cilët 4 në kufi. 5 i kena gjetë pa ndihmën e shtetit, 1 nuk e kena gjetë dhe nuk dihet vendvarrimi i tij”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Megjithëse kanë kaluar 30 vite nga shembje e diktaturës në Shqipëri, ende nuk ka një numër të saktë të personave të zhdukur si dhe një hartë të vendeve ku ata u varrosën në fshehtësi pas ekzekutimit.

“Ajo që ne dime eshtë se, që nga viti 2018, tek Autoriteti i Dosjeve, Instituti ish të Përndjekurve dhe ICMP janë paraqitur diku rreth 880 kërkesa, pra raportime nga familjarët, të cilët i kanë akoma njerëzit e tyre të zhdukur. Bëhet fjalë për të zhdukurit e periudhës së diktaturës”.

Në vititin 2018, Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Komisionin Ndërkombetar për Personat e Zhdukur (ICMP) duke siguruar që vendndodhjet e të zhdukurve dhe rrethanat e zhdukjes së tyre të hetohen në mënyrë efektive. Ndërkohë, kur kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i diktarurës, në Shqipëri kanë ndodhur transformime të mëdha të territorit, duke e bërë të vështirë procesin e gjetjes së të zhdukurve./VOA

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion