“Të hetohet ngjarja”/ Vdekja e Besnik Koçiut në burg, KSHH: U mbajt 8 ditë në qeli i sëmurë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar në lidhje me humbjen e jetës së të paraburgosurit Besnik Koçiu, i cili ndërroi jetë më 24 korrik 2025 në ambientet e IEVP “Jordan Misja” në Tiranë.
Reagimi i KShH-së pason një letër të hapur të familjarëve të të ndjerit, të cilët bënë apel për hetimin e rrethanave të vdekjes së tij. Pas publikimeve në media, KShH thotë se më 29 korrik realizoi një monitorim në ambientet e institucionit, ku u verifikua se Besnik Koçiu ishte transferuar në paraburgim më 16 korrik 2025. Ai kishte raportuar diagnoza të rënda shëndetësore, përfshirë Diabetin Tip 2, hipertension të avancuar, dislipidemi dhe një AVC ishemike të kaluar vetëm 6 muaj më parë.
Që në ditët e para, Koçiu kishte paraqitur shqetësime si dhimbje koke, dobësi trupore dhe djegie. Për shkak të gjendjes së tij, ai ishte transferuar nga godina A në godinën B të burgut për kushte më të mira akomodimi, dhe më pas ishte vendosur vetëm në dhomën nr. 6.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga KShH, më 22 korrik 2025, një punonjës policie kishte rekomanduar mbajtjen nën vëzhgim të vazhdueshëm të Koçiut dhe informimin e specialistit të informacionit për çdo ndryshim në gjendjen e tij. Megjithatë, nuk u gjetën praktika të dokumentuara që të vërtetonin këtë mbikëqyrje.
Mbrëmjen e 23 korrikut, ndihmës mjekja e burgut e kishte vizituar të paraburgosurin dy herë për matje tensioni, por pas kësaj nuk ka asnjë dokumentim tjetër deri në mëngjesin e 24 korrikut, kur Koçiu u gjet pa ndjenja në dhomën e tij në orën 7:00. Ai u transportua në urgjencën e QSUT, ku u konstatua vdekja me diagnozën e dyshuar: arrest kardiak.
Pavarësisht ankesave të shpeshta dhe gjendjes së përkeqësuar, i paraburgosuri nuk u dërgua në spital. Sipas stafit mjekësor, parametrat e tij ishin brenda normales dhe ishte planifikuar thjesht ndjekja me ekzaminime laboratorike.
KShH ngre shqetësimin se gjendja e tij kërkonte një reagim më të shpejtë dhe një trajtim të specializuar, gjë që nuk ndodhi.
KShH thekson se, bazuar në nenet 15 dhe 20 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, institucionet e vuajtjes së dënimit janë të detyruara të sigurojnë kujdes shëndetësor 24 orë dhe të transferojnë të burgosurit në spitale kur është e nevojshme.


