Shqiptari arratiset për herë të katërt nga burgu dhe zhduket pa gjurmë! Kush është 41-vjeçari që sfidon autoritetet italiane

Aktualitet

Shqiptari arratiset për herë të katërt nga burgu dhe zhduket

Taulant Toma, një grabitës i rrezikshëm shqiptar, i dënuar me burg  deri në vitin 2041 është arratisur sërish nga burgu gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, 7 dhjetor dhe kjo është hera e katërt që arratiset nga burgu.

41 vjeçari, i konsideruar jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe me një histori kriminale që përfshin Itali dhe Europën, arriti të shpëtojë nga burgu i Opera-s në Milano, një institucion me siguri maksimale.

Sipas informacioneve të Fatto Quotidiano, ai ka prerë hekurat e qelisë dhe më pas ka zbritur jashtë, duke shfrytëzuar errësirën dhe ndoshta një moment të favorshëm gjatë ndryshimit të turneve të rojave. Një arratisje që duket e planifikuar me kujdes, e shpejtë dhe precize.

I lindur më 9 qershor 1984 në Shqipëri, Taulant Toma po vuante një dënim të gjatë për grabitje dhe vjedhje, me përfundim dënimi në 2041. Ai nuk është i panjohur për arratisje spektakolare, aftësia e tij për të humbur gjurmët ka sfiduar policinë italiane dhe belge.

Në të kaluarën, ai ishte arratisur nga burgu i Parmës (po ashtu institucion me siguri maksimale) së bashku me bashkëkombësin Vamentin Frokaj, i cili më pas u vra gjatë një grabitjeje në vilë.

Frokaj, gjithashtu, kishte arritur të arratisej më parë nga burgu i Palermos. Taulant Toma ka qenë protagonist edhe i një arratisjeje të bujshme në Belgjikë, ku autoritetet europiane e konsiderojnë prej vitesh si një individ me rrezik të lartë.

Rasti i vitit 2013

Në historinë e tij kriminale, veçohet një episod i vitit 2013, që pati shkaktuar diskutime në prokuroritë italiane. Pas arratisjes nga burgu i Parmës, Taulant Toma ishte shpallur në kërkim. Policia italiane e kërkoi për dyzet ditë me radhë, duke përdorur ndjekje, udhëtime në qytete të tjera, përgjime telefonike dhe ambientale.

Vetëm më 23 tetor 2013, Prokuroria e Parmës mori vesh se ai ishte arrestuar në Belgjikë më 11 shtator dhe tashmë ishte në Liège, duke pritur ekstradimin. Ngjarja u konsiderua nga vetë Prokuroria si “paradoksale”, dhe u kërkua sqarim i drejtpërdrejtë nga ministritë e Brendshme dhe të Drejtësisë.

Tani historia përsëritet. I arratisuri konsiderohet si individ që lëviz shpejt, me eksperiencë në shmangien e kontrollit dhe një rrjet kontakti ende për t’u verifikuar. Prefektura ka aktivizuar një plan kërkimi të gjerë, me patrulla, pika kontrolli, kërkime në fusha dhe zona industriale, kontroll në kufijtë e brendshëm.

Ekziston frika se Taulant mund të përpiqet të largohet nga Italia ose të ribashkohet me grupe kriminale aktive në Europën Veriore.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion