Shqipëria nuk është më zonë e kuqe për Zvicrën, rinisin lëvizjet normalisht mes dy vendeve

Shqipëria nuk cilësohet më zonë e kuqe për Zvicrën dhe kjo fal uljes së numrit të të infektuarve në vendin tonë. Qeveria zviceriane ka bërë me dije këtë vendim një ditë më parë dhe lajmi u bë me dije nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Sipas njoftimit të kësaj të fundit, që nga 8 prilli, shqiptarët që do të udhëtojnë drejt Zvicrës nuk do të kenë më detyrim karantinimi në momentin e mbërritjes. Udhëtarët që nisen nga vendi ynë për në Zvicër, të cilët udhëtojnë në rrugë ajrore do të kenë detyrimin të plotësojnë një formular digjital me të dhëna dhe të paraqesin rezultatin negativ të testit PCR të kryer jo më herët se 72 orë para udhëtimit.
Për ata që udhëtojnë në rrugë tokësore me mjete transporti publik do të aplikohet vetëm plotësimi i formularit digjital, pa pasur detyrimin e paraqitjes së testit negativ PCR, ndërsa ata që udhëtojnë me automjete private në rrugë tokësore nuk kanë detyrim të paraqesin asnjë nga dokumentet e mësipërme.


