Punonjësi humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë, prokuroria Fier nis hetimet për ndërtuesin dhe 2 zyrtarë!

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq tre shtetas për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, ‘Shpërdorimi i tokës’, ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenet 289 pg.1, 199, 199/a pg.4 dhe 248 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.1418, të datës 16.09.2024, rezultoi se më 14.09.2024, në fshatin Suk-1, Njësia Administrive Strum, Bashkia Roskovec, ka humbur jetën shtetasi S.B, si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike.
Viktima S.B, teksa punonte në kantierin e shtetasit E.D, (I pandehur), ka rënë në kontakt me linjën e transmetimit të energjisë elektrike e cila ndodhej në afërsi të objektit pa leje që po ndërtohej nga i pandehuri E.D.Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar fakti penal, që lidhet me veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashkuar nga neni 289 pg.1 i Kodit Penal, vepër e konsumuar prej shtetasi E.D. Ky shtetas rezulton se me cilësinë e ndërtuesit/porositësit, investitorit, nuk ka marrë masat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes në punë.
Nga ana e tij është realizuar një ndërtim pa leje, ku nuk ishte marrë asnjë masë në funksion të sigurimit të kushteve të punës apo sigurimit teknik në kantier. Detyrimi për marrjen e masave të sigurimit teknik dhe mbrojtjes në punë buronin për të pandehurin nga ligji nr.10287 datë 18.02.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, V.K.M-në Nr.312, datë 5.5.2010 “Për Miratimin e Rregullores “Për sigurinë në kantier”, V.K.M nr.312/5.5.2010 dhe “Rregullore për sigurimin teknik për punën në ndërtim”.
Ndaj të pandehurit E.D, prokuroria ngriti akuzë për dhe veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pg.4, i Kodit Penal. I pandehuri E.D, rezultoi se kishte realizuar një ndërtim pa lejen e organeve kompetente për qëllime fitimi. Ndërtimi i paligjshëm rezultoi të ishte realizuar mbi një sipërfaqe tokë bujqësore prej 320 m2. Për këtë fakt prokuroria ka konstatuar element të veprës penale “Shpërdorimi i tokës”, parashikuar nga neni 199 i Kodit Penal. I pandehuri rezultoi se ka ndërtuar në kundërshtim me destinacionin e tokës bujqësore, në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr.9244 datë 17.06.2004 “Për mbojtjen e tokës bujqësore”, i cili në nenin 14 të tij, ndalon veprimtarinë ndërtimore në tokat bujqësore.


