Policia jep detaje nga arrestimi i Flodian Plakut/ Armë gati për qitje, 25 mijë euro cash dhe 7 celularë

Aktualitet

Policia jep detaje nga arrestimi i Flodian Plakut/ Armë gati për

Operacioni i arrestimit të Flodian Plakut, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas. Gjatë kontrollit në hotelin ku Plaku po fshihej, policia gjeti te tij një armë me 17 fishekë gati për përdorim, si dhe një shumë prej 25 mijë euro cash. Përveç kësaj, iu sekuestruan 7 telefona celularë, që dyshohet të kenë lidhje me aktivitetin e tij kriminal.

Operacioni policor u zhvillua me qëllim goditjen e grupeve kriminale që operojnë në zonë, duke u fokusuar sidomos në persona me precedentë penalë për vrasje dhe krime të tjera të rënda.

Gjithashtu, gjatë ndërhyrjes në hotel u arrestua edhe Julian Aliaj, i njohur me nofkën “Pashaj”, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Renato Hoxhës. Kapja e tij është një goditje e rëndësishme për strukturat kriminale që veprojnë në Vlorë dhe rajon.

FJALIA E PLOTË:

Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo), 42 vjeç, banues në Vlorë, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë dhe jashtë saj.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin penal nr. 1885, datë 26.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Ky shtetas akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Flodian Plaku, si dhe në ambientet ku qëndronte, u gjetën dhe u sekuestruan:

•Një armë zjarri pistoletë, me një krehër dhe 17 fishekë;
•25 000 euro cash, për të cilat po hetohet burimi i dyshuar kriminal;
•7 celularë.

Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me shtetasin Flodian Plaku, u kap edhe shtetasi Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.

Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërkohë, në vazhdën e punës hetimore për dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, vetëm tre ditë më parë, më datë 01.08.2025, strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Në Gjurmë”, me objekt kapjen e shtetasit Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë, në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.

Ndaj tij ishte lëshuar urdhër ekzekutimi i vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për vrasjen e shtetasit Renato Hoxhaj, ndodhur më 27.04.2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës. Viktima u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend.

Lidhur me këtë ngjarje, falë hetimeve të thelluara dhe analizës së provave të gjetura në vendngjarje, u dokumentua se vrasja ishte e planifikuar dhe e kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë. Si rezultat, janë ndërmarrë këto masa:

* Në muajin prill, u ndalua me iniciativë shtetasi E. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;

* U shpallën në kërkim shtetasi i huaj, me kombësi rumune, D. C., 53 vjeç, me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Për këtë shtetas është lëshuar urdher arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

* Në hetim për këtë vrasje është edhe një shtetas tjetër, me inicialet I. S., 26 vjeç, i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale.
Ndërkohë, janë duke vazhdur me intensitet hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje kriminale në Vlorë dhe në Sarandë. Përfitoj nga rasti të bëj me dije se në Sarandë po vijojnë hetimet e thelluara dhe veprimet operacionale dhe së shpejti do të kemi rezultate konkrete për kapjen e autorëve.

Të dy operacionet “Eterna” dhe “Në Gjurmë” janë dëshmi e qartë e vendosmërisë së strukturave tona për të zbardhur dhe dokumentuar në mënyrë të plotë krimet më të rënda që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të vijuar pa ndërprerje hetimet dhe operacionet për kapjen e çdo personi në kërkim dhe për goditjen e çdo strukture që mbështet aktivitetet kriminale.

Ftoj qytetarët e qarkut Vlorë dhe më gjerë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Policinë, duke raportuar çdo informacion me vlerë, sepse së bashku ndërtojmë një shoqëri më të sigurt dhe më të drejtë.

ME TE LEXUARAT