“Kufizon punën e gazetarëve në sallat e gjyqit”/ SafeJournalists kundërshton rregulloren e re të GJKKO-së

Aktualitet

“Kufizon punën e gazetarëve në sallat e gjyqit”/

Rrjeti SafeJournalists ka shprehur shqetësim për disa dispozita të rregullores së re të brendshme të GJKKO, të cilat, sipas organizatës, mund të kufizojnë aksesin dhe punën e gazetarëve gjatë proceseve gjyqësore.

Rregullorja e re është miratuar me Vendimin nr. 49, datë 17 korrik 2026, është publikuar më 31 korrik dhe pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026.

SafeJournalists thekson se e njeh përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e sigurisë, mbrojtjen e pjesëmarrësve në proces, ruajtjen e integritetit të gjykimeve dhe administrimin e drejtësisë, por ngre shqetësime për ndikimin që disa rregulla mund të kenë mbi punën e medias.

Sipas rrjetit, kombinimi i disa dispozitave mund të vështirësojë ndjekjen e drejtpërdrejtë të seancave publike nga gazetarët, mbajtjen e shënimeve, komunikimin me redaksitë dhe raportimin në kohë për çështje me interes të lartë publik.

Një nga shqetësimet lidhet me sistemin e akreditimit të gazetarëve. SafeJournalists vëren se rregullorja parashikon akreditim vjetor dhe individual për median, por nuk e përcakton qartë nëse një gazetar pa akreditim të përhershëm nga GJKKO mund të ndjekë një seancë publike si pjesëtar i publikut.

Organizata shprehet se kërkesat shtesë për gazetarët e pavarur, të cilët duhet të dëshmojnë veprimtari profesionale gjatë 12 muajve të fundit, mund të krijojnë vështirësi për freelancer-at, gazetarët në fillimet e karrierës apo ata që sapo janë caktuar për të mbuluar gjykatën.

Një tjetër pikë kritike është procedura për aksesin në seancat me kapacitet të kufizuar, ku gazetarëve mund t’u kërkohet të paraqesin kërkesë paraprake 24 orë përpara zhvillimit të procesit. SafeJournalists argumenton se kjo mund të krijojë pengesa për raste urgjente, njoftime të vona apo zëvendësime të gazetarëve.

Rrjeti ka ngritur shqetësime edhe për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike nga gazetarët gjatë seancave.

Sipas SafeJournalists, ndalimi i regjistrimeve apo transmetimeve të paautorizuara është i ligjshëm, por një ndalim i përgjithshëm i pajisjeve mund të pengojë edhe mbajtjen e shënimeve, komunikimin me redaksitë dhe raportimin profesional.

Organizata sugjeron masa më pak kufizuese, si përdorimi i pajisjeve në modalitet të heshtur, kufizimi i funksioneve të kamerës apo përcaktimi i zonave të posaçme për median.

Sa i takon mbulimit audioviziv të proceseve, SafeJournalists vlerëson se kufizimet mund të jenë të justifikuara në raste të veçanta, për mbrojtjen e dëshmitarëve, privatësisë apo rendit në sallën e gjyqit, por kërkon që çdo kufizim të jetë proporcional dhe i bazuar në rrethana konkrete.

Rrjeti ka kritikuar gjithashtu përfshirjen e çështjeve që lidhen me manipulimin përmes inteligjencës artificiale dhe publikimin e materialeve të konsideruara mashtruese, duke argumentuar se sjellja editoriale jashtë ambienteve të gjykatës nuk duhet të rregullohet përmes sistemit të akreditimit.

Në fund, SafeJournalists i ka bërë thirrje GJKKO-së të pezullojë zbatimin e dispozitave që prekin median dhe të zhvillojë konsultime me gazetarë, organizata mediatike, ekspertë ligjorë dhe shoqërinë civile.

Sipas organizatës, rregullat e reja duhet të garantojnë që çdo kufizim ndaj medias të jetë i përcaktuar qartë, i nevojshëm, proporcional dhe të mos pengojë të drejtën e publikut për informim.

ME TE LEXUARAT