Tentuan të kalonin ilegalisht 15 emigrantë afrikanë drejt Malit të Zi, arrestohen dy të rinj në Shkodër

Dy persona janë arrestuar nga Policia Kufitare në Shkodër, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar me furgon 15 emigrantë nga vendet e Afrikës, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
Operacioni policor i koduar “Halfway” u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në kuadër të kontrolleve për goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në pranga ranë shtetasit E. A., 22 vjeç dhe M. F., 19 vjeç, të dy banues në Fushë-Arrëz.
Sipas Policisë, dy të rinjtë u kapën në fshatin Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, teksa transportonin me një automjet tip furgon 15 shtetas afrikanë, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të tyre drejt territorit malazez.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi edhe automjetin që përdorej për transportin e emigrantëve.
Materialet procedurale ndaj dy të arrestuarve i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme hetimore.