Ukraina sulmon depot e karburantit, dy influencere ruse arrestohen për videon virale pranë flakëve

Pas një tjetër sulmi me dron nga forcat ukrainase në qytetin bregdetar të Soçit, ku u përfshi nga flakët një depo karburanti në zonën Adler, dy të reja ruse janë arrestuar nga autoritetet për publikimin e një videoje të papërshtatshme në rrjetet sociale.
Darya (21 vjeç) dhe Karina (19 vjeç) u filmuan duke pozuar përballë flakëve, me muzikë në sfond, në një video që shpejt u bë virale dhe ngjalli reagim të fortë publik. Policia ruse veproi menjëherë, duke i ndaluar vajzat dhe duke i akuzuar për veprimtari të papërgjegjshme dhe cenim të etikës publike në një situatë emergjente.
Ministria e Brendshme e Soçit i cilësoi vajzat si “zoomers të pamatura” dhe njoftoi se veprimet e tyre do të trajtohen ligjërisht. Autoritetet ishin në kërkim të tyre që në momentin që videoja qarkulloi gjerësisht në rrjet.
Ndërkohë, sulmi ndaj depozitës së karburantit u konfirmua nga burime zyrtare si pjesë e një vale goditjesh të ushtrisë ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke përdorur dronë vetëvrasës me rreze të gjatë veprimi.
Brenda 48 orëve të fundit, disa sulme janë regjistruar ndaj rafinerive dhe pikave të karburantit në rajone të ndryshme të Rusisë, duke shkaktuar dëmtime dhe shqetësime serioze për furnizimin me energji në jug të vendit.
Ngjarja tregon jo vetëm intensifikimin e konfliktit, por edhe përplasjen mes realitetit të luftës dhe narrativave të rrjeteve sociale në një Rusi gjithnjë e më të tensionuar.


