Inskenoi vdekjen e tij, Pecorrelli mban 2 javë grevë në burgun 313 në Tiranë: Rashë 6 kg

Davide Pecorelli, ish-arbitri italian dhe biznesmeni i dënuar me 4 vite burg për mashtrim, zjarrvënie të qëllimshme dhe kalim të paligjshëm të kufirit, ka ndërprerë grevën e urisë pas dy javësh protestë në burgun 313 në Tiranë. Pecorelli tha në një bisedë telefonike se ka humbur 6 kilogramë gjatë grevës, por tani shpreson për një zhvillim pozitiv pas muajsh të vështirë.
Gjykata e Apelit në Shqipëri, më 31 korrik, publikoi arsyetimin e vendimit që i hap rrugë paraqitjes së rekursit në Gjykatën e Lartë. Avokatët e tij, italianë dhe shqiptarë, nuk mund të apelonin më parë për mungesë dokumenti. Pecorelli pret që rekursi të sjellë një masë sigurie më të butë para procesit të radhës, i planifikuar për më 18 shtator.
Ai ndodhet në burg prej 8 majit dhe ka dërguar ankesë për kushtet e vështira në qelinë 16 metra katrorë, ku ndodhet me tetë persona të tjerë, pa ujë të rrjedhshëm dhe me prani të minjve. Avokati i Popullit në Shqipëri ka bërë inspektim në qelinë e tij.
Në 2021, Pecorelli inskenoi vdekjen e tij në Pukë: mori një makinë me qira, dogji automjetin pas një skene me mbetje eshtrash dhe u largua. Pas zbulimit të mashtrimit, ai u arrestua në Itali në 2022, pasi kishte dalë ilegalisht nga Shqipëria. Për disa muaj u fsheh në Vlorë.
Inskenimi i vdekjes erdhi si pasojë e borxheve pas falimentimit të biznesit, që e detyruan të humbiste gjurmët deri në kapjen pranë ishullit Montecristo në Itali.


