Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për pandeminë Covid-19, Senati amerikan e shpall Anthony Faucin fajtor për…

Bota

Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për pandeminë Covid-19,

Anthony Fauci, ish-drejtori i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive (NIAID) dhe figura më e njohur e shëndetit publik në SHBA gjatë pandemisë Covid-19, mund të përballet me pasoja ligjore pasi një komision i Senatit votoi t'ia referojë çështjen Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Vendimi erdhi pasi Fauci refuzoi t'u përgjigjej dhjetëra pyetjeve gjatë një seance dëgjimore javën e kaluar, duke përdorur Amendamentin e Pestë të Kushtetutës amerikane, i cili u jep dëshmitarëve të drejtën të mos japin dëshmi që mund t'i inkriminojnë para drejtësisë.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare, i kontrolluar nga republikanët dhe i drejtuar nga senatori Rand Paul, votoi në favor të referimit të një çështjeje të mundshme penale ndaj Faucit në Departamentin e Drejtësisë.

Seanca dëgjimore u shoqërua me tensione të forta. Fauci akuzoi Rand Paul se kishte një "obsesion të pakontrolluar" ndaj tij dhe se synimi i senatorit ishte ta "poshtëronte dhe frikësonte", madje edhe ta fuste në burg për rolin që pati gjatë pandemisë, kur mbështeti masa si mbajtja e maskave dhe distancimi fizik.

Megjithatë, Rand Paul mohoi se qëllimi i tij ishte të ngrinte një kurth ndaj Faucit.

"Ai nuk kishte asnjë përgjegjësi nëse do të thoshte të vërtetën", tha Paul gjatë mbledhjes së komisionit.

Gjatë seancës së javës së kaluar, Fauci dha të njëjtën përgjigje pothuajse për çdo pyetje.

"Me këshillën e avokatëve të mi, do të ushtroj të drejtën time sipas Amendamentit të Pestë të Kushtetutës dhe nuk do t'u përgjigjem pyetjeve tuaja", deklaroi ai.

Ai e përsëriti këtë formulim dhjetëra herë, duke refuzuar të jepte sqarime të mëtejshme.

Republikanët argumentojnë se Fauci nuk kishte të drejtë të përdorte Amendamentin e Pestë, pasi në fund të mandatit të tij ish-presidenti Joe Biden i dha një falje paraprake. Sipas Rand Paul, kjo do të thotë se Fauci nuk mund të ndiqet penalisht për çështjet që po heton Senati dhe, për rrjedhojë, nuk kishte arsye të mos përgjigjej.

Paul e kishte paralajmëruar Faucin që gjatë seancës se refuzimi për të dëshmuar do të kishte pasoja.

"Meqë refuzoni të përgjigjeni dhe vazhdoni të mbështeteni te një privilegj që, sipas nesh, nuk qëndron pas faljes presidenciale, ky komision do të votojë javën e ardhshme për t'ju shpallur në 'contempt of Congress'", i tha ai.

Nga ana tjetër, demokratët e cilësuan të gjithë procesin një hetim të motivuar politikisht. Senatori Gary Peters, demokrati më i lartë në komision, tha se thirrja e Faucit dhe vendimi për ta referuar çështjen nuk sjellin asnjë përfitim për shëndetin publik.

Sipas tij, bëhet fjalë për "një hetim të njëanshëm dhe një proces të nxituar", që mund të dëmtojë mënyrën se si Kongresi zhvillon hetime në të ardhmen.

Një ditë para votimit, Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale dorëzoi një kopje të telefonit celular të Faucit në një nënkomision të Senatit. Kryetari i këtij nënkomisioni, senatori republikan Ron Johnson, tha se shpreson që pajisja të ndihmojë në zbardhjen e pyetjeve për të cilat Fauci refuzoi të përgjigjej.

Përplasja mes Rand Paul dhe Anthony Faucit vazhdon prej vitesh. Senatori republikan e ka akuzuar vazhdimisht Faucin se minimizoi mundësinë që koronavirusi të kishte dalë nga një laborator kërkimor në Wuhan të Kinës, dhe jo nga transmetimi natyror nga kafshët te njerëzit, skenari që mbështetet nga shumica e shkencëtarëve.

Ende nuk është e qartë nëse votimi i komisionit do të ketë pasoja konkrete ligjore. Sipas

Kushtetutës amerikane, Amendamenti i Pestë garanton që askush nuk mund të detyrohet të japë dëshmi kundër vetes në një çështje penale. Gjykata e Lartë e SHBA-së ka vendosur në disa raste që nga viti 1955 se kjo e drejtë mund të përdoret edhe gjatë hetimeve të Kongresit.

Avokatët e Faucit argumentojnë se ai ka vepruar plotësisht brenda të drejtave të tij kushtetuese. Ndërsa republikanët këmbëngulin se refuzimi për t'u përgjigjur mund të përbëjë bazë për një procedim penal për mosbashkëpunim me Kongresin ose për pengim të një hetimi kongresional. Tashmë i takon Departamentit të Drejtësisë të vendosë nëse do të ndërmarrë apo jo hapa të mëtejshëm.

ME TE LEXUARAT