Policia del me version tjetër për përplasjen e 55-vjeçarit në Tiranë: Nuk u aksidentua nga efektivi

Aktualitet

Policia del me version tjetër për përplasjen e 55-vjeçarit

Disa orë pas aksidentit në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë ku një efektiv policie përplasi me makinë një 55-vjeçar që lëvizte me biçikletë, uniformat blu kanë dhënë sqarime shtesë.

Sipas njoftimit të policisë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë në këtë zonë, rezulton se nuk ka qenë fajtor efektivi me iniciale P.N. për këtë aksident.

Rezulton se një makinë tjetër e parkuar pranë vendngjarjes ka shkaktuar aksidenti. Drejtuesi i mjetit, 36-vjeçari me iniciale Xh.K. ka hapur derën e mjetet e për pasojë ka përplasur 55-vjeçarin.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë që tregojnë dinamikën e aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me informacionin paraprak mbi aksidentin e ndodhur në rrugën “Myslym Keta” ju bëjmë me dije se: Nga hetimet paraprake dhe kqyrja e pamjeve filmike rezulton se mjeti i ndaluar me drejtues Xh. K., 36 vjeç, duke hapur derën e mjetit të tij ka goditur me derë biçiklistin shtetasin A. G., rreth 55 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Sqarojmë se mjeti i policisë nuk ka patur kontakt me të aksidentuarin. Drejtuesi i mjetit shtetasi Xh. K., është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pamjet filmike që tregojnë dinamikën e aksidentit. Grupi hetimor punon për sqarimin e plotë e rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë në njoftimin paraprak të policisë, thuhej se 55-vjeçari që udhëtonte me biçikletë është përplasur nga një efektiv policie.

Njoftimi paraprak i policisë:

Në rrugën “Myslym Keta” mjeti me drejtues shtetasin P. N. (punonjës policie) pjesë e grupit të kontrollit të territorit, është përplasur me një biçiklist me iniciale A. G., rreth 55 vjeç, i cili po dërgohet në spital, për të marrë ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

ME TE LEXUARAT