OBSH: Të rinjtë shqiptarë përballen me sfida

Aktualitet

OBSH: Të rinjtë shqiptarë përballen me sfida

Fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri përballen me një sërë sfidash që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Të dhënat më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se bullizmi online, dhuna dhe problemet e shëndetit mendor janë përhapur në mënyrë shqetësuese edhe në vendin tonë.

Gati gjysma e vajzave adoleshente dhe 1/3 e djemve të moshës 11-15 vjeç kanë shfaqur ankesa që lidhen me shëndetin mendor. Sipas OBSH-së, 47% e vajzave dhe 31% e djemve të kësaj grupmoshe raportojnë të paktën një herë në javë shqetësime si dhimbje koke, nervozizëm apo ndjesi mërzitjeje.

“12% e fëmijëve dhe adoleshentëve të grupmoshës 11-15 vjeç në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një herë bullizëm online. Ky fenomen shqetësues, i përhapur me shpejtësi vitet e fundit, përfshin kërcënime dhe fyerje në internet, që sipas ekspertëve sjellin pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin mendor dhe performancën në shkollë.”

Raporti për Shqipërinë, i përgatitur në kuadër të Strategjisë së OBSH-së për Shëndetin dhe Mirëqenien e Fëmijëve dhe Adoleshentëve 2026-2030, evidenton se dhuna vijon të mbetet fenomen shqetësues.

Gati gjysma e fëmijëve nuk ndihen të mbrojtur në shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave nga OBSH, 48% e grupmoshës 1-14 vjeç kanë përjetuar forma dhune fizike apo psikologjike nga kujdestarët. Ky nivel i lartë i dhunës ndikon negativisht në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve.

Sipas raportit, shqetësuese janë edhe veset si konsumimi i duhanit dhe alkoolit që në moshë të vogël. Rreth 18% e adoleshentëve 13-15 vjeç përdorin cigaret elektronike dhe VAPE, 15% pinë duhan, ndërsa 19% konsumojnë alkool.

Këta tregues nënvizojnë nevojën për më shumë politika, forcim të edukimit prindëror, rritjen e sigurisë online, si dhe përforcimin e mbrojtjes ligjore ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve./Tv Klan

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion