CEO i gjigantit të inteligjencës artificiale Nvidia, Jensen Huang, përfshihet në një tjetër skandal personal

Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, po përballet me një tjetër akuzë për marrëdhënie jashtëmartesore, ndërsa kompania ndodhet nën presion për shkak të lidhjeve të dyshuara të tij me një sipërmarrëse kineze, e cila po hetohet për bashkëpunim të mundshëm me shërbimet e inteligjencës së Pekinit.
Sipas The New York Times, Huang, 63 vjeç, dyshohet se ka pasur një marrëdhënie edhe me Kimberly Powell, 48 vjeçe, zëvendëspresidente e Nvidia-s për sektorin e shëndetësisë. Pesë persona që kanë punuar në kompani kanë folur për këtë çështje, ndërsa dy prej tyre pretendojnë se drejtuesit janë filmuar duke shfaqur afërsi në një hotel në San Jose të Kalifornisë, gjatë një aktiviteti të kompanisë në muajin mars.
Të dy janë të martuar me persona të tjerë. Nëse konfirmohen, pretendimet mund të ngrenë pikëpyetje edhe për shkeljen e kodit të etikës së Nvidia-s, i cili parashikon shmangien e konflikteve të interesit dhe hetimin e raportimeve për sjellje të papërshtatshme.
Por kjo nuk është e vetmja çështje që po trazon gjigantin e teknologjisë. Huang ka pranuar në një mesazh drejtuar punonjësve se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me sipërmarrësen kineze Alice Huang, e cila është nën hetim për dyshimet se ka përcjellë informacione drejt Kinës.
Sipas raportimeve, sipërmarrësja dyshohet se ka përdorur lidhjet e saj me drejtuesin e Nvidia-s për të siguruar procesorë të inteligjencës artificiale për investitorë kinezë. Autoritetet amerikane po shqyrtojnë gjithashtu aktivitetin e kompanisë së saj, Megaspeed, e dyshuar për përfshirje në kontrabandimin e pajisjeve teknologjike drejt Kinës.
Çështja ka marrë edhe përmasa institucionale. Tre komitete të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA i kanë kërkuar Huang të japë shpjegime me dyer të mbyllura për kontaktet me sipërmarrësen, ndërsa Nvidia ka angazhuar firmën ligjore Wachtell, Lipton, Rosen & Katz për të kryer një hetim të brendshëm.
Ndërkohë, sipas Wall Street Journal, bordi drejtues i kompanisë pritet të shqyrtojë edhe të ardhmen e Huang në postin e drejtorit ekzekutiv.
Presioni është reflektuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e Nvidia-s kanë pësuar rënie pas publikimit të raportimeve, ndërsa kompania është përballur me humbje të konsiderueshme në kapitalizimin e tregut. Paralelisht, disa aksionarë kanë ngritur padi, duke pretenduar se drejtuesit nuk kanë bërë publike informacione të rëndësishme për çështjen.
Nga ana e saj, Nvidia mohon të ketë pasur dijeni për hetimet ndaj Alice Huang dhe Megaspeed. Kompania deklaron se nuk ka arsye të besojë se janë komprometuar siguria kombëtare amerikane apo sekretet e saj tregtare dhe se po shqyrton të gjithë informacionin e disponueshëm.


