Nesër votohet në pesë bashki, baza materiale gati nëpër KZAZ

Aktualitet

Nesër votohet në pesë bashki, baza materiale gati nëpër

Të dielën, më 9 nëntor, mbi 334 mijë qytetarë në pesë bashki të vendit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj. Procesi zgjedhor zhvillohet në Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë, si pasojë e vakancave të krijuara në drejtimin e bashkive përkatëse. Ndërsa sot, më 8 nëntor, është dita e heshtjes zgjedhore.

Materialet zgjedhore janë gati

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë të gjitha materialet e nevojshme zgjedhore në KZAZ-të dhe shumicën e qendrave të votimit. Gazetarja e Klan News Klesiana Omeri, raporton se baza materiale është shpërndarë pothuajse në të gjitha KZAZ-të dhe qendrat e votimit. Sipas saj, kanë mbetur vetëm disa QV në bashkinë e Vlorës që ende po presin bazën materiale. Materialet përfshijnë fletët e votimit, proces-verbalet dhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI).

Policia në gatishmëri

Policia e Shtetit është mobilizuar për mbarëvajtjen e procesit. Në total, 612 efektivë dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e 473 qendrave të votimit dhe 9 objekteve të KZAZ-ve, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore. Strukturat hetimore do të monitorojnë çdo tentativë për tjetërsimin e votës.

Për të lehtësuar procesin, kompania IdentiTek ka zgjatur oraret e punës për shpërndarjen e kartave të identitetit në bashkitë ku zhvillohen zgjedhjet. Zyrat do të jenë të hapura të shtunën nga ora 09:00 deri në 15:00 dhe të dielën nga ora 08:00 deri në 12:00.

Risi në Tepelenë, votat do numërohen me IA

Një risi në këto zgjedhje është përfshirja eksperimentale e inteligjencës artificiale në procesin e numërimit të votave në bashkinë e Tepelenës. Megjithatë, votimi elektronik nuk do të aplikohet, identifikimi i votuesve do të bëhet përmes pajisjeve PEI.

“Ndërsa sa i takon IA-së që për herë të parë do aplikohet në këto zgjedhje, nuk është se do jetë ajo që do shpallë rezultatin. Do jenë përsëri grupin e numërimit që do japin verdiktin final. Por do të jetë thjesht një mënyrë testimi për ta parë në vazhdimësi.”, tha gazetarja e Klan News Ermelinda Hoxhaj.

Kandidatët në garë

Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 13 kandidatë. Në tre bashki, Mat, Cërrik dhe Vlorë, zgjedhësit do të kenë mundësi të zgjedhin mes tre kandidatëve.

Vlorë: Brunilda Mersini (PS), Dionis Sota (i pavarur, mbështetur nga opozita), Gjergj Nika (i pavarur – kandidatura u pranua nga Kolegji Zgjedhor pas refuzimit fillestar nga KQZ).

Cërrik: Florenc Doka (PS), Eligert Hima (“Shqipëria Bëhet”), Amarildo Hoxha (i pavarur, mbështetur nga opozita).

Mat: Altin Bojni (PS), Suzana Pasha (e pavarur), Eduart Brahilika (i pavarur, mbështetur nga opozita).

Berat: Ervin Ceca (PS), Pavllo Shkarpa (i pavarur, mbështetur nga opozita).

Tepelenë: Gramos Sako (PS), Gabriel Guma (i pavarur, mbështetur nga PD).

Procesi i numërimit pritet të jetë i shpejtë dhe pa zgjatje në kohë, duke qenë se janë vetëm 5 bashki./tvklan

ME TE LEXUARAT