Në kërkim ndërkombëtar për mashtrim, arrestohet në Rinas 33-vjeçari nga Dubai

Policia në Rinas ka arrestuar një 33-vjeçar, pasi ka rezultuar se është në kërkim ndërkombëtar nga Pakistani. Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi i huaj, akuzohet për mashtrim public, duke përdorur arsye fetare.
“Rinas/ Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Pakistanit, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, është arrestuar shtetasi: M. T., 33 vjeç, banues në Dubai.
Ky shtetas është ndaluar në hyrje të Republikës së Shqipërisë, pasi gjatë përpunimit të detajuar të të dhënave nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tirana, ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt Pakistanit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Pakistan, për veprën penale “Mashtrim publik duke përdorur arsye fetare”, njofton policia.


