Ndotja e ajrit dhe zhurmat, studimi zbulon zonat më pak të banueshme në Tiranë

Aktualitet

Ndotja e ajrit dhe zhurmat, studimi zbulon zonat më pak të banueshme

Zona të ndryshme të kryeqytetit vazhdojnë të përballen me ndotje të ajrit dhe zhurmë që tejkalojnë normat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Ndotja vjen kryesisht nga ndërtimi dhe trafiku i makinave dhe luhatet në varësi të kushteve meterologjike dhe po kështu stinëve.

Sipas një raporti të Institutit për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan”, i realizuar në 13 pika monitorimi në kryeqytet, cilësia e ajrit ndryshon në periudha të ndryshme, me prirje përkeqësuese. Monitorimi është kryer gjatë periudhës gusht-dhjetor 2024, duke përfshirë sezonin e verës, vjeshtës dhe fillimin e dimrit.Gjatë monitorimeve në unazën e vogël të Tiranës, disa stacione kanë regjistruar tejkalime të ndotjes së ajrit nga standardi i përcaktuar prej 350 pjesë për milionë (ppm).

Në muajin gusht, niveli më i lartë i ndotjes është vënë re në zonën e bulevardit dhe pranë shkollës “Mihal Grameno”.

Në raundin e dytë të monitorimeve, është vënë re rritje e ndjeshme e ndotjes krahasuar me gushtin.

“Rritja më e theksuar u vu re në zonën e ‘Pazarit të Ri’ me një vlerë prej 610 ppm dhe ‘Zogut të Zi’ me 546 ppm”, thuhet në raport.

Në stacionet e Piramidës dhe stadiumit “Selman Stërmasi”, niveli i ndotjes mbeti palëvizur dhe nën standardin e vendosur. Ky ndryshim në rezultatet e matjeve është i lidhur me kushtet meteorologjike që kanë ndikuar në shpërndarjen e ndotësve, si dhe aktivitetet urbane të intensifikuara, përfshirë shtimin e automjeteve dhe rritjen e lëvizjes së popullsisë.

Në matjet e treta dhe të katërta, ndotja e ajrit shpërndahet në vende të tjera të qytetit. Zona si Pazari i Ri dhe kryqëzimi i 21 Dhjetorit janë nën standardin e lejuar, duke pasur kushte më të mira të ajrit, ndërsa zona si Medreseja dhe Zogu i Zi kanë regjistruar nivele të ndotjes që kalojnë standardin.Ndërsa për grimcat PM₁₀ ka pasur tejkalime të rregullta në 10–11 stacione, “me ndotje më të lartë në “Zogu i Zi” dhe “Kryqëzimi i 21 Dhjetorit,” zona të njohura për fluksin e madh të trafikut dhe ndërtimet intensive”.

Sa i përket matjes së dioksidit të azotit (NO2) në ajër, vihet re se mesatarisht 10-12 stacione cdo ditë kanë regjistruar nivele mbi standardin.

“Të dhënat tregojnë se ndotja ka qenë veçanërisht e lartë në zona me trafik të dendur dhe aktivitete urbane intensive, duke përfshirë “Kryqëzimin e 21 Dhjetorit” “Pazarin e Ri,” dhe “Zogun e Zi,” të cilat vazhdojnë të regjistrojnë përqendrimet më të larta të ndotjes”, thuhet në raport.

Nivelet më alarmante janë matur në kryqëzimin e 21 Dhjetorit, i cili renditet si zona më e ndotur.

Ndotja akustike

Për ndotjen akustike, raporti tregon se zonat më të zhurmshme janë Pazari i Ri, kryqëzimi i 21 Dhjetorit, rruga e Kavajës dhe sheshi Italia. Në të kundërt, Zogu i Zi ka regjistruar vazhdimisht nivelet më të ulëta të zhurmës (rreth 56-58 dB), duke u shfaqur si një zonë më e qetë dhe e përshtatshme për banim.

Shkaktarët kryesorë të ndotjes akustike janë trafiku i rënduar dhe pranisë e aktiviteteve tregtare dhe shërbimeve në këto zona.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion