Lihet i lirë agresori i sulmit në xhaminë “Dine Hoxha”, reagon imami Kalaja: Vjen erë apo më duket mua

Imami Ahmed Kalaja, i xhamisë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës ka bërë të ditur se është pushuar hetimi për Rudolf Nikollën, agresorin që sulmoi me thikë disa persona brenda xhamisë, dy muaj më parë. Reagimi i tij u bë përmes një postimi në Facebook, duke publikuar foto të pushimit të çështjes.
“Publikojmë për të gjithë ju mbylljen e hetimit mbi rastin e plagosjes së ndodhur në Ramazan.
Çfarë bëhet? Ku synojnë? As thirrje të të plagosurve?? Sikur të jetë ndonjë familjar i prokurorit viktima e radhës ?! Vjen erë apo më duket mua ????”, shkruan Kalaja.
Në dokumentin e publikuar nga vetë imam Ahmed Kalaja, prokurori i çështjes ka nxjerrë këto konstatime: “1) Personi në hetim Rudolf Nikolla vuan nga probleme të shëndetit mendor.
2) personi në hetim plotëson kriteret për diagnostiko për çrregullim psikotik i pa specifikuar.
3) Personi në hetim nuk është i përgjegjshëm për veprën e kryer, pasi gjykimi dhe sjellja e tij janë udhëhequr prej çrregullimit të mendimit, emocionit dhe perceptimit.
4) Personi nën hetim për shkak të sëmundjes prej së cilës vuan, nuk ka qenë në gjendje të kuptoj dhe të kontrolloj veprimet e tij dhe pasojat që rrjedhin prej tyre.
5) Personi në hetim, prezanton risk të lartë për sjellje të paparashikueshme.
6) Personi në hetim, aktualisht prezanton simptomë psikotike aktive, të sëmundjes prej së cilës vuan.
7) Personi duke vlerësuar riskun për sjellje të paparashikueshme nëpërmjet HCR 20, ku analizohet historia për sjellje të paparashikueshme, klinika aktuale e menaxhimit të riskut në të ardhmen, i rekomandohet masa mjekësore e “Mjekimit të detyruar në një institut mjekësor”, thuhet në dokument.
Më pas prokurori çështjes thekson dhe arsyen se pse nuk mund të japë një dënim me burg për këtë vepër penale. “Për sa i përket përgjegjësisë penale për kryerjen e veprës penale nga ana e të pandehurit Rudolf Nikollaj, për shkak se ai ka rezultuar i papërgjegjshëm para ligjit për veprën e kryer, e për pasojë nuk mund të akuzohet apo dënohet për kryerjen e saj, për këto arsye ne do i drejtohemi Gjykatës së Rrethit gjyqësor Tiranë, kjo në mbështetjet të neneve 46 të Kodit Penal dhe 46 të K. Pr. Penale me kërkesë: Për caktim e masës mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” ndaj të pandehurit Rudolf Nikollaj, sipas nenit 46, pika 2 e K, Penal”, thuhet në këtë dokument, ku bëhet i ditur edhe përfundimi i hetimeve.", janë shkruar në fotot e publikuara nga Kalaja.


