Kapet me pije alkoolike kontrabandë, në pranga një person, procedohen tre doganierë

Një person është arrestuar pasi tregtonte pije alkoolike. Po ashtu janë proceduar dhe 3 doganierë për veprën penale "shpërdorim detyre".
Njofton policia:
Korçë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor "Drinks", për goditjen e kontrabandës së pijeve alkoolike.
U kap në flagrancë në aksin rrugor “Kapshticë – Bilisht”, duke transportuar me automjet pije alkoolike që i kishin futur kontrabandë nga Greqia, arrestohet 1 shtetas. Procedohen penalisht 3 punonjës të Degës Doganore Kapshticë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Sekuestrohen pijet alkoolike dhe automjeti.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike e financiare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar operacionin policor të koduar "Drinks", për goditjen e një rasti kontrabandës me mallra që paguhet akcizë. Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Kapshticë – Bilisht”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. Ll.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi pijesh alkoolike, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.


