“Jam në gjendje të rënduar”/ Zbardhet dëshmia në gjyq e Erdgys Arrazit: Do flas më vonë!

Gjykata e Shkodrës ka lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” Erdgys Arrazin, i cili akuzohet për shkaktim të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, Alma Arrizi (Bushati) dhe tre fëmijëve të tyre të mitur, të cilët u mbytën disa ditë më parë në lumin Bunë. Arrazi është shfaqur në sallën e gjyqit në një gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa nuk ka folur shumë.
“Në këto momente nuk mund të flas sepse nuk jam në gjendje emocionale. Jam dakord me deklarimet e avokatit dhe mund të flas në një moment më të vonë.” – mësohet se kanë qenë fjalët e tij para togave të zeza.
Ndërkohë avokati mbrojtës, Blerim Bazhdari kërkoi në seancën për masën e sigurisë lirimin e shtetasit Erdgys Arrazi pasi nuk ka asnjë provë që vërteton dhunën në familje që pretendon policia dhe prokuroria apo edhe motra e viktimës.
Pala mbrojtëse paraqiti një prej recetave mjekësore të Alma Arrazit që sipas avokatit vërteton se 39-vjeçarja vuante nga probleme të shëndetit mendor. Receta është lëshuar nga mjeku Gjon Preçi me firmën dhe vulën e tij.
Ndërkohë avokati Bazhdari i ka komunikuar pak përpara seancës shtetasit Erdgys Arrazi gjetjen e trupit të fëmijës së tretë, djalit të vogël 3 vjeçar, informacion i cili e ka rënduar psikologjikisht 31-vjeçarin.


