Operacioni “Risia” në Tiranë/ Sekuestrohen mbi 12 kg kanabis xhelatinoz dhe kokainë; një në pranga dhe një në kërkim

Aktualitet

Operacioni “Risia” në Tiranë/ Sekuestrohen mbi 12 kg

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Tiranë kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Risia”, duke goditur një rast të transportimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan 12.1 kilogramë kanabis në trajtë xhelatinoze, një sasi kokaine, dy automjete dhe tre aparate celulare.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm, më 19 nëntor 2026, në autostradën “Tiranë–Elbasan”, pas administrimit të të dhënave operative. Shërbimet e policisë i bënë shenjë ndalimi automjetit që drejtohej nga shtetasi F. I., 22 vjeç, banues në Paskuqan, i cili dyshohet se po transportonte lëndën narkotike të përgatitur për t’u shitur në tregun vendas.

I riu nuk iu bind urdhrit të efektivëve, duke vijuar lëvizjen me shpejtësi, për ta braktisur më pas mjetin në autostradë dhe për t’u larguar nga vendngjarja. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e braktisur, policia gjeti dhe sekuestroi 12.1 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa në trajtë xhelatinoze.

Paralelisht me ndjekjen e mjetit kryesor, efektivët konstatuan se lëvizjet e tij monitoroheshin dhe siguroheshin nga një automjet i dytë, i drejtuar nga shtetasi M. V., 22 vjeç, gjithashtu banues në Paskuqan. Ai u ndalua dhe u arrestua në flagrancë, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

Aktualisht, shtetasi F. I. është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë penale persona të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion