DETAJE të reja, Renato Hoxhaj parandjeu vdekjen! Vendosi kamera sigurie në shtëpi nga frika e ekzekutimit

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarje e ndodhur disa ditë më parë ku në qytetin e Vlorës u ekzekutua me tre plumba, dy në kokë dhe një në trup, 58-vjeçari, Renato Hoxhaj.
Lidhur me këtë ngjarje, një natë më parë, blutë e Shtetit vunë në pranga shtetasin me ininciale E.M, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit për ekzekutimin e 58-vjeçarit.
Burime për mediat bëjnë me dije se personi i arrestuar, i cili merrej me shit-blerje pronash, është nga Tropoja dhe deri më tani thuhet se ka “gisht” në vrasjen e Hoxhajt duke siguruar kushtet për realizimin e krimit.
Gjithashtu, mësohet se ky shtetas rezulton të jetë dhe mik i Roan Brahimit, një emër i njohur ky jo vetëm për drejtësinë shqiptare, por dhe për atë greke, pasi një vit më parë e ekzekutuan mu në mes të Athinës.
Ashtu sikurse raportuam dhe më herët nga hetimet e deritanishme policia bëri të mundur identifikimin e mjetit që u përdor nga autori për tu larguar nga vendi i ngjarjes pas ekzekutimit të 58-vjeçarit.
Thuhet se ka qenë tropojani, shtetasi E.M, ai i cili ia ka dorëzuar autorit automjetit, pak para ngjarjes së rëndë, teksa më pas mjetit ia kishin ndërruar edhe targat për të shmangur identifikimin.
Shtetasi E.M, u vu në pranga një natë më parë, ndërkohë që policia i sekuestroi telefonin e tij, brenda të cilit thuhet se kanë gjetur prova të rëndësishme për hetimin dhe zbardhjen e vrasjes së Renato Hoxhajt.
Dyshohet se vrasja e këtij të fundit është porositur nga një grup kriminal që operon nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndër të tjera, viktima kishte kohë që ndiente rrezik për jetën, ku rreth dy muaj para ngjarjes, ai kishte instaluar kamera sigurie në banesën e tij në Vlorë, të cilat kanë kapur pamjet e ngjarjes dhe mjetin e përdorur nga autori. Megjithatë, frikën për një atentat të mundshëm nuk e kishte raportuar në polici.


