Aksident i rëndë në Peshkopi, 7 të plagosur, transportohen me urgjencë drejt Traumës

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin Peshkopi-Maqellarë, në vendin e quajtur “Shkolla e Dovolanit”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, ku një automjet tip “Mercedes” dhe një “Golf 5” janë përplasur kokë më kokë. Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur shtatë persona.
Të plagosurit janë transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas, për shkak të nevojës për trajtim më të specializuar, të shtatë personat janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake, në automjetin “Golf” udhëtonte një familje, ku ndodheshin çifti i bashkëshortëve, nëna e drejtuesit të mjetit dhe dy vajzat e tyre të mitura.
Gjendja më e rëndë raportohet të jetë e bashkëshortes së drejtuesit të “Golf”-it.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


