A e cënoi sigurinë kombëtare fakti që shefja e SHISH dha informacion sensitiv? Rama: T’ia lëmë në dorë institucioneve, jo paçavureve

Politikë

aa-8.png

Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme se ajo që ndodhi me ish-shefen e SHISH-it në Shqipëri ishte e paprecedentë në historinë e shërbimeve në Evropë.

Gjatë fjalës së tij në konferencën për mediat me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, Rama u përgjigj se sa e cenon marrëdhënien me aleatët dhënia e informacioneve sensitive nga ana e ish-shefes së SHISH-it ndaj një pale të tretë.

Sipas Ramës, kjo çështje është në dorë të institucioneve dhe, sipas tij, nuk duhet të merremi me tymnaja.

“Unë dua t’ju bëni një pyetje vetes: pse BE-ja, pse KE-ja, ngjarje që këtu trajtohen si arsye për të goditur dhe për të përhapur valë dëshpërimi, i shikon si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner shumë serioz dhe një vend që aspiratat e veta i ka të lidhura me faktet e një përpjekjeje të përgjithshme në të gjitha aspektet dhe një lufte pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.

Ajo që këtu mund të shikohet si regres, nga KE-ja shihet si progres. Sa më takon, nuk është thjesht progres, është transformim. Ne jetojmë në një epokë vetëtransformimi si kurrë më parë, nëse nuk e quajmë vendtransformim epokën kur u izoluam.

Sa më takon, ne jemi më shumë se asnjëherë më parë në rrugën e duhur. Siç e thashë, deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot për herë të parë ky vend ka një sistem që ka fituar dhe fiton dita-ditës aftësi vetëkorrigjuese, vetëpastruese, ato antitrupa që i ka çdo sistem demokratik.

Sa i takon informacioneve sensitive, kjo është një çështje që unë mendoj se duhet lënë gjykatës dhe jo leximeve sporadike që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar sigurinë kombëtare.

Alarmi që kam për ju është që një shqetësim i tillë që na vjen nga shpërndarësit dhe agjitatorët, nuk na ka ardhur nga asnjë partner. Patjetër që kur fola për partnerë që kanë mbetur pa fjalë, fola për partnerë në sistemin e sigurisë, me ata që punojnë me shërbimin.

Ajo që i është bërë shërbimit, me atë metodë që u trajtua çështja, është e paparë në histori, por është sërish pjesë e procesit. Unë nuk pres asgjë më shumë veçse prokurorët të bëjnë punën e tyre dhe gjykata punën e vet”, tha Rama.

ME TE LEXUARAT