Rama mbledh sot socialistët në Lalëz, ndryshime në qeveri dhe kandidatë të rinj për bashkitë?

Politikë

Rama mbledh sot socialistët në Lalëz, ndryshime në qeveri
Partia Socialiste mbledh sot, në orën 10:30, Asamblenë Kombëtare në Lalëz. Në fokus pritet të jenë përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, riorganizimi i strukturave partiake, përzgjedhja e kandidatëve për kryebashkiakë dhe zhvillimet brenda vetë PS-së.

Mbledhja do të nisë në orën 10:30 dhe do të zhvillohet në një resort në Gjirin e Lalëzit, në Durrës. Takimi pritet të hapet me fjalën e kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të vijuar më pas me diskutimet mbi organizimin dhe objektivat politike të socialistëve.

Një prej çështjeve kryesore në fokus do të jetë përgatitja për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Rama pritet të prezantojë drejtimet mbi të cilat do të organizohet gara elektorale, si dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve socialistë për drejtimin e bashkive.

Kandidatët për Tiranën dhe Shkodrën – Një nga pikëpyetjet kryesore lidhet me kandidaturat për bashkitë e mëdha, veçanërisht Tiranën dhe Shkodrën.

Në ditët e fundit, gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka raportuar për disa emra që po diskutohen në qarqet politike. Për Tiranën është përmendur emri i Ervin Demos, ndërsa për Shkodrën ai i Enea Karakaçit, i cili mund të përballet me Kliti Hotin.

Sipas këtyre raportimeve, në diskutim është edhe mundësia që disa ministra të lënë postet qeveritare për t’u angazhuar në garën për drejtimin e bashkive.

Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për kandidaturat dhe mbetet për t’u parë nëse Rama do të japë sinjale konkrete gjatë fjalës së tij.

Erion Veliaj – Një tjetër çështje që pritet të tërheqë vëmendjen është marrëdhënia mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ky i fundit, i cili ndodhet në paraburgim në Fier, i ka dërguar një kërkesë sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe SPAK-ut, për t’i mundësuar pjesëmarrjen në mbledhjen e Asamblesë, fizikisht ose përmes videokonferencës.

Prej ditësh kryebashkiaku ka lëshuar një seri deklaratash, duke pretenduar se urdhrin për transferimin në Fier e ka dhënë Rama, teksa ai është shprehur edhe mbi takimin me ministrin Gogu në burg, duke pretenduar se i është dhënë ultimatum që të delegojë drejtimin e bashkisë.

Ndryshime në qeveri? – Një tjetër pikëpyetje lidhet me mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.

Asambleja e shtatorit 2023 u përdor nga Edi Rama për të prezantuar një riorganizim të rëndësishëm të qeverisë. Për këtë arsye, vëmendja është edhe te mundësia që kryeministri të shfrytëzojë mbledhjen e sotme për ndryshime në kabinetin e tij të katërt.

Mocioni i Elisa Spiropalit – Në mbledhjen e sotme pritet të shihet gjithashtu nëse do të trajtohet mocioni i Elisa Spiropalit, përmes të cilit ajo ka kërkuar hapjen e Partisë Socialiste dhe një qasje të re politike, të artikuluar përmes propozimit për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”.

Asambleja zhvillohet në një moment kur mazhoranca përballet me presionin e protestave të muajve të fundit, përfshirë protestat studentore dhe zhvillimet e tjera politike në vend.

Përveç përgatitjeve për zgjedhjet vendore, pritet që Rama të përcjellë mesazhe për mobilizimin e strukturave socialiste dhe organizimin e partisë në 46 bashkitë e vendit.

Mbetet për t’u parë nëse Asambleja e sotme do të prodhojë vetëm orientime politike për muajt në vijim apo edhe vendime konkrete për drejtuesit, kandidatët dhe kabinetin qeveritar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion