“50 mijë euro ose shpërthen”/ Zbardhen detajet e kërcënimit ndaj biznesmenit, si u zbulua 21-vjeçari

Aktualitet

“50 mijë euro ose shpërthen”/ Zbardhen detajet e

Detaje të reja janë bërë publike nga hetimi për kërcënimin ndaj biznesmenit Zija Shulku në Peshkopi, ngjarje për të cilën është arrestuar 21-vjeçari Engjëll Karoshi.

Para hetuesve, i riu dyshohet se ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duke deklaruar se vendosja e kutisë kërcënuese ishte bërë me qëllim presioni ndaj biznesmenit, për t’i marrë një shumë prej 50 mijë eurosh.

Sipas dëshmisë së tij, Karoshi e njihte Shulkun, pasi kishte shoqëri me djalin e biznesmenit. Hetuesit dyshojnë se 21-vjeçari ka shkuar në këmbë pranë karburantit dhe ka vendosur në një cep të tij kutinë, e cila pretendohej se përmbante lëndë plasëse.

Pas largimit nga vendi i ngjarjes, i riu dyshohet se ka hequr rrobat që kishte veshur dhe i ka hedhur në një kosh. Më pas është rikthyer pranë karburantit, duke qëndruar mes personave që ndiqnin ndërhyrjen e policisë dhe neutralizimin e kutisë.

Fillimisht, Karoshi dhe disa persona të tjerë që ndodheshin në zonën përreth u shoqëruan në polici për t’u marrë në pyetje. Hetuesit nisën ndërkohë analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth.

Pas këqyrjes së dhjetëra kamerave, policia dyshohet se ka rindërtuar lëvizjet e autorit dhe ka identifikuar 21-vjeçarin si personin që kishte vendosur kutinë.

Bashkë me të ishte lënë edhe një letër, ku kërkohej shuma prej 50 mijë eurosh. Sipas hetimit, autori kishte përcaktuar edhe adresën ku paratë duhej të transferoheshin në Bitcoin.

Kutia e dyshimtë u hap dhe u neutralizua nga specialistët e repartit RENEA. Nga verifikimet rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë plasëse.

Hetimet për ngjarjen vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë së të arrestuarit.

ME TE LEXUARAT