Fshihen 465 milionë euro detyrime tatimore, ja kush përfiton

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur sot se mbi 223 mijë tatimpagues kanë përfituar deri tani nga zbatimi i Ligjit të Faljes.
Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata Tatimore vlera totale e detyrimeve tatimore të fshira dhe shuara ka arritur në 465.1 milionë euro.
Përfitimet përfshijnë kategori të ndryshme detyrimesh tatimore, ku peshën kryesore e zënë tatimi mbi vlerën e shtuar, me rreth 145.1 milionë euro detyrime të fshira, dhe tatimi mbi fitimin, me rreth 141.9 milionë euro.
Ndërkohë, përmes këtij procesi janë shuar edhe detyrime nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimi i mbajtur në burim, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat individuale.
Sipas Administratës Tatimore, zbatimi i Ligjit të Faljes synon të lehtësojë barrën e detyrimeve të prapambetura për bizneset dhe individët, duke krijuar më shumë mundësi për tatimpaguesit dhe duke kontribuar në përmirësimin e marrëdhënieve me administratën fiskale.
Administrata Tatimore bën të ditur se vijon angazhimin për informimin dhe asistencën ndaj tatimpaguesve, me qëllim garantimin e një procesi sa më të qartë dhe transparent.


