U kap me 38 kg kokainë që e kishte marrë në Shqipëri, violinisti dënohet me burg dhe gjobitet me mbi 1 milion euro

Të premten, më 9 tetor, gjykata e Nicës në Francë dënoi një muzikant me katër vjet burg, një prej të cilave me pezullim, dhe një gjobë doganore prej mbi 1.1 milion eurosh. Violinisti ishte arrestuar nga oficerët e doganës në gusht në rajonin Alpes-Maritimes me gati 40 kg kokainë të fshehur në automjetin e tij të cilin e kishte marrë në Shqipëri.
Violinisti i cili luante herë pas here në orkestrën Victor Hugo Franche-Comté, u gjykua për blerje, posedim, transportim të narkotikëve, si dhe për pastrim parash dhe posedim të armëve.
Më 10 gusht 2026, 45-vjeçari u kap në flagrancë ndërsa po kalonte nëpër pikën e pagesës La Turbie në autostradën A40 në lindje të Nicës (Alpes-Maritimes), duke u drejtuar nga Franca për në Itali. Muzikanti u ndalua nga oficerët e doganës nga Menton të cilët inspektuan automjetin e tij.
Ata zbuluan 38.4 kg kokainë të fshehur nën dyshemenë e makinës. Gjatë një kontrolli në shtëpinë e muzikantit, hetuesit gjetën 90,000 euro në para cash dhe katër armë zjarri
Gjatë seancës dëgjimore, burri pranoi se transportonte dhe posedonte drogën me vlerë rreth një milion euro. Ai gjithashtu pranoi veprën penale të posedimit të paligjshëm të armëve ndërsa u lirua nga akuza për pastrim parash. Si pasojë, gjyqtari urdhëroi kthimin e 90,000 eurove në parave cash që iu gjetën në banesë gjatë kontrollit.
Sipas kolegëve të L'Est Républicain, i akuzuari u shpjegoi gjyqtarëve se atij ishte “kontaktuar gjatë verës së vitit 2025, në një festë në Shqipëri”
Ai ka deklaruar se e kishte marrë kokainën në Shqipëri dhe se do të përfitonte 20 mijë euro për transportimin e ngarkesës.
“E dyshoja se bëhej fjalë për drogë, por nuk e dija çfarë po transportoja dhe as sa ishte sasia. Nuk e di çfarë është, nuk konsumoj drogë”, shtoi ai.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim me gjashtë vjet burg. I pandehuri do të duhet të paguajë një gjobë doganore prej 1.1 milion eurosh, një shumë që korrespondon me vlerën e parashikuar të 38 kg kokainë të sekuestruar, shkruan media franceze.


