“Ndiqni paratë”, zbardhen diskutimet për tenderat dhe dro'gën mes ambasadorit amerikan dhe dy zyrtarëve

Ambasada Amerikane në Shqipëri ka zbardhur diskutimet mes ambasadorit të SHBA Eric Wendt, kreut të SPAK-ut Klodian Braho dhe drejtuesit të BKH-së Joni Keta.
Në fokus të takimit kanë qenë lufta ndaj rrjeteve kriminale të trafikut të drogës dhe rëndësia e tenderave të drejtë dhe konkurrencës së barabartë.
Wendt ka theksuar se bizneset amerikane duan të investojnë në Shqipëri, por kërkojnë besim te respektimi i kontratave, tenderët të jenë të drejtë, dhe askush të mos jetë mbi ligjin.
“Kompanitë amerikane dëshirojnë të investojnë në Shqipëri, në sektorët e energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe teknologjisë. Bizneset amerikane do të vijnë kur të kenë besim se kontratat respektohen, tenderët janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë garanton zbatimin e barabartë dhe të paanshëm të ligjit për të gjithë.
Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Ligji duhet thjesht të zbatohet njësoj për të gjithë. Kur një tender manipulohet ose praktikat ligjore apo të biznesit janë të korruptuara, konkurrenca nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ky investitor largohet, Shqipëria humbet vende pune dhe sakrifikon mundësitë për rritje ekonomike”, bën me dije ambasada.
Ambasadori amerikan ka theksuar rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve ndaj rrjeteve kriminale që trafikojnë kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Europës.
“Çështjet që lidhen me krimin e organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi, sepse rrjetet që trafikojnë kokainë drejt Evropës, të cilat ju po luftoni, e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur shumë prej këtyre grupeve organizata të huaja terroriste.
Çdo kontejner që sekuestroni, çdo llogari që bllokoni dhe çdo drejtues të një organizate kriminale që çoni përpara drejtësisë, i merrni para dhe pushtet karteleve. Dhe çdo rrjet kriminal që shkatërroni na bën të gjithëve më të sigurt, Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet tona fqinje. Organet ligjzbatuese amerikane do të vijojnë të luftojnë këto rrjete, por veprimet e Shqipërisë bëjnë që ato të mos e zhvillojnë këtë luftë të vetme”.
Wendt vuri në dukje se “shumë krime të rënda lënë gjurmë digjitale”, duke u kërkuar prokurorëve të ndjekin provat dhe paratë.
“Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar po vënë bast se ju nuk do të jeni në gjendje t'i ndiqni këto gjurmë përtej kufijve, përmes aplikacioneve të enkriptuara dhe deri te kuletat e kriptomonedhave. Ky trajnim ka për qëllim t'u provojë se e kanë gabim. Ndiqni provat. Ndiqni paratë. Për sa kohë që vendimet tuaja bazohen vetëm te provat dhe ligji, dhe kurrë te pozicioni, lidhjet apo statusi i një personi, dhe për sa kohë institucionet tuaja mbeten apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i papërshtatshëm i jashtëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë në krahun tuaj”.


