E paprecedentë, Megan Fox bëhet “ilaçi” kundër disfunksionit erektil

Megan Fox ka surprizuar me rolin e saj më të pazakontë deri më tani. Aktorja amerikane është bërë pjesë e një fushate publicitare për Ro Sparks, një trajtim me recetë për disfunksionin erektil, duke u shfaqur në reklamë si vetë “personifikimi” i produktit.
Në spot, Fox shfaqet me një kostum të kuq të ngushtë dhe prezanton trajtimin përmes humorit, batutave dhe lojës me nënkuptimet. “Nëse më përshkruajnë, vij direkt në shtëpinë tënde”, thotë ajo në një prej momenteve, përpara se të shtojë me një buzëqeshje: “Mos u shqetëso, paketimi im është shumë diskret.”
Aktorja 40-vjeçare duket se e ka pritur me entuziazëm këtë bashkëpunim, duke e cilësuar rolin si diçka për të cilën mund të ketë qenë e destinuar.
“Personalisht mendoj se ndoshta kam lindur për këtë. Nuk ka njeri më të mirë që mund të ishte përfshirë”, është shprehur Fox.
Megjithatë, përtej humorit dhe elementit provokues të reklamës, fushata synon të trajtojë një problem që shpesh shoqërohet me turp dhe vështirësi për të folur hapur.
Fox ka deklaruar se qëllimi i saj është të ndihmojë në normalizimin e diskutimit rreth disfunksionit erektil dhe të ulë stigmën që e rrethon.
“Pse të marrësh diçka që tashmë është një temë e rëndë dhe ta bësh edhe më të rëndë?”, ka thënë aktorja për People.
Ajo ka përcjellë gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë për burrat që përballen me këtë problem: “Nuk jeni me defekt. Nuk ka asgjë që nuk shkon me ju.”
Sipas Fox, seksualiteti dhe viriliteti janë ende të lidhura fort me mënyrën se si shumë burra e perceptojnë veten, ndaj vështirësitë në jetën seksuale mund të ndikojnë edhe në vetëbesim. Për të, hapi i parë është të flitet hapur për problemin, pa turp dhe pa fshehje.
Aktorja ka theksuar gjithashtu se disfunksioni erektil nuk është vetëm një çështje individuale, por mund të ndikojë edhe në marrëdhënien në çift.
“Kushdo që ka qenë i martuar ose ka pasur një lidhje afatgjatë e di se jeta seksuale kalon nëpër ulje-ngritje”, është shprehur Fox.
Pikërisht për këtë arsye, ajo e sheh komunikimin dhe mbështetjen e partnerit si të rëndësishme në momente të tilla.
“Jemi në të njëjtin ekip, duam të njëjtën gjë. Ta bëjmë së bashku”, ka deklaruar aktorja.
Bashkëpunimi i Megan Fox me kompaninë nuk pritet të jetë i kufizuar vetëm në këtë reklamë. Sipas raportimeve të Variety, aktorja ka firmosur një marrëveshje afatgjatë dhe mund të vijojë të jetë imazhi i markës për një ose dy vite.


