Trump vlerëson Elon Musk: Një nga themeluesit më të mëdhenj të kompanive teknologjike, Thomas Edison-i i kohës sonë

Presidenti amerikan Donald Trump shoqëroi me vlerësime të larta ceremoninë e nderimit të kreut të Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk, me Medaljen Kombëtare të Shkencës
Në ceremoni u nderuan gjithashtu bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, CEO i Nvidia, Jensen Huang, dhe CEO e AMD-së, Lisa Su.
Trump i akordoi gjithashtu Medaljen Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit, vlerësimi më i lartë amerikan për arritjet teknologjike, themeluesit dhe CEO-së së Dell Technologies, Michael Dell, si dhe CEO-së së Microsoft, Satya Nadella.
Pavarësisht distancimit të pjesshëm mes Trump dhe Musk gjatë muajve të fundit, krahasuar me fillimin e mandatit të dytë presidencial, Trump pati vetëm fjalë lavdërimi për miliarderin.
“Ne nderojmë një titan të industrisë, një inxhinier brilant dhe një nga themeluesit më të mëdhenj të kompanive teknologjike që ka jetuar ndonjëherë. Quhet Elon Musk”, tha Trump. Ai shtoi se “pak amerikanë në histori kanë bërë më shumë se Elon për të çuar përpara interesat kombëtare të Amerikës”.
Trump e cilësoi Musk edhe si “Thomas Edison-in e kohës sonë”, ndërsa e quajti “mikun tim dhe një njeri shumë, shumë të madh”.
Sipas mediave amerikane, të gjithë të nderuarit kanë kontribuar në një formë ose në një tjetër në fushatat apo kauzat e Trump dhe Partisë Republikane.
Musk, i cili iu bashkua për një periudhë të shkurtër administratës Trump për të drejtuar përpjekjet për shkurtimin e administratës federale, ishte donatori më i madh individual i Trump gjatë fushatës së vitit 2024. Edhe Brin dhuroi shuma të konsiderueshme për Komitetin Kombëtar Republikan në vitin 2025.


