Trump njofton marrëveshjen me Rusinë për naftën, synon uljen e çmimeve të karburanteve në SHBA

Bota

Trump njofton marrëveshjen me Rusinë për naftën, synon uljen

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një marrëveshje për furnizimin e tregjeve me naftë ruse, me synimin për të lehtësuar presionin mbi çmimet e karburanteve në Shtetet e Bashkuara.

Sipas njoftimit të Trump, presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord të vërë në dispozicion sasi nafte për tregun amerikan dhe atë ndërkombëtar. Në kuadër të kësaj nisme, administrata amerikane po shqyrton edhe pezullimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj eksporteve ruse të naftës.

Trump bëri të ditur se furnizimi do të nisë me 300 mijë tonë naftë, ndërsa 500 mijë tonë të tjera pritet të vihen në dispozicion në nëntor, pasuar nga një milion tonë të tjerë. Ai përmendi gjithashtu mundësinë e furnizimeve shtesë, në varësi të kapaciteteve të rafinerive ruse, disa prej të cilave janë goditur nga sulmet ukrainase.

Sipas raportimeve, pezullimi i sanksioneve do të jetë i përkohshëm dhe nuk do të përfshijë asetet e tjera ruse të ngrira në bankat amerikane.

Nisma vjen në një periudhë kur rritja e çmimeve të karburanteve në SHBA ka shtuar shqetësimet për inflacionin dhe koston e jetesës. Konflikti me Iranin ka ndikuar në tregjet energjetike, duke ushtruar presion mbi çmimet.

Megjithatë, analistët kanë shprehur dyshime nëse sasitë e njoftuara do të kenë ndikim të ndjeshëm te çmimet në pompat e karburanteve. Sipas strategut të investimeve Tim Armitage, dërgesa fillestare prej 300 mijë tonësh përkthehet në rreth 2.25 milionë fuçi, një sasi e kufizuar krahasuar me konsumin ditor të naftës në SHBA.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë të ditur se çfarë përfitimi do të marrë Rusia në këmbim të këtij angazhimi.

 

 

 

ME TE LEXUARAT