Tritoli në Bathore, zbardhet deklarata e pronarit të banesës, policia heton biznesin e të birit (Emrat)

Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në Bathore, ku u regjistrua një shpërthim tritoli. Xhelal Kurti, pronari i banesës ku ndodhi shpërthimi, dhe djali i tij, kanë dhënë dëshminë para policisë mbi ngjarjen, ku kanë deklaruar se nuk kanë dijeni se kush mund të jenë autorët e ngjarjes.
Ata nuk njihen si persona problematikë në zonë, teksa sipas burimeve, djali i 55-vjeçarit merret me biznesin e montimit të kamerave të sigurisë. Ky aktivitet po verifikohet nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm që mund të lidhet me shpërthimin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:05 të mëngjesit të kësaj të premteje, më 9 tetor, në lagjen nr. 1 të Bathores. Një sasi e dyshuar lënde plasëse ishte vendosur në murin rrethues të banesës së Xhelal Kurtit dhe më pas shpërtheu. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale. Përveç murit rrethues të banesës, u dëmtua edhe një automjet në pronësi të djalit të 55-vjeçarit, i cili ishte i parkuar pranë hyrjes së shtëpisë.

