Tre mjete fluturuese ruse bien në territorin polak, NATO thërret mbledhje urgjente në Bruksel pas incidentit ajror

NATO do të zhvillojë të hënën një mbledhje urgjente në Bruksel, pas incidentit të rëndë ajror në Poloni, ku tre mjete fluturuese me origjinë ruse shkelën hapësirën ajrore të vendit dhe përfunduan në territorin polak.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 20 nëntorit, gjatë një prej sulmeve më të mëdha ruse ndaj Ukrainës. Sipas raportimeve të mediave të huaja, mes mjeteve të identifikuara ishte një raketë lundruese ruse e tipit Kh-101, ndërsa dy objektet e tjera dyshohet se ishin një raketë dhe një dron me motor reaktiv.
Tre mjetet fluturuese u rrëzuan në zona të ndryshme në juglindje të Polonisë, në rajonet Podkarpackie dhe Lubelskie. Autoritetet polake konfirmuan se nga incidenti nuk pati persona të lënduar.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi ngjarjen si të rrezikshme dhe bëri të ditur se avionët luftarakë të Aleancës u ngritën në ajër në përgjigje të shkeljes së hapësirës ajrore polake.
Nga ana tjetër, kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se autoritetet kanë përcaktuar origjinën ruse të të tre mjeteve fluturuese, duke mos përjashtuar mundësinë që incidenti të ketë qenë një provokim i qëllimshëm.
Në takimin e së hënës do të mblidhet Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s. Polonia do të përfaqësohet nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Paweł Zalewski.
Në fokus të diskutimeve do të jetë shkelja e hapësirës ajrore polake dhe masat për forcimin e mbrojtjes së krahut lindor të Aleancës, në një kohë kur tensionet e sigurisë në rajon vijojnë të mbeten të larta.


