Ngjarje e rëndë/ Gruaja godet me th'ikë 7-vjeçaren në rrugë, vajza humb jetën

Bota

Ngjarje e rëndë/ Gruaja godet me th'ikë 7-vjeçaren

Një vajzë shtatëvjeçare gjeti vdekjen tragjike në Çikago, pasi u godit disa herë me thikë pas shpine, teksa po ecte në një rrugë të qytetit.

Sipas New York Post, ngjarja ndodhi dje, të shtunën, pak para mesditës, në Cottage Grove Avenue, në lagjen Chatham. Sipas policisë së Çikagos, fëmija po ecte në trotuar kur iu afrua një grua e rritur. Gruaja nxori një thikë dhe, siç thuhet në njoftimin e policisë, e goditi vajzën “shumë herë në shpinë”.

Në një video që po qarkullon në internet shihet momenti kur gruaja ecën e qetë në trotuar, pak minuta pas sulmit, duke menduar se do të largohej pa u shqetësuar.

Kalimtarët neutralizuan gruan

Dëshmitarët okularë që panë sulmin nxituan menjëherë për t’i ardhur në ndihmë fëmijës dhe arritën ta ndalonin të dyshuarën si autore të sulmit, derisa mbërritën efektivët e policisë.

“Po ecja në atë moment në rrugë dhe pashë gruan që kishte goditur me thikë vajzën duke kaluar pranë meje. Papritur dëgjova një kalimtare që bërtiti: ‘Kapeni, ajo e bëri, ajo e goditi me thikë’”, tregoi një prej qytetarëve që ndaluan të dyshuarën për sulmin ndaj 7-vjeçares.

Në vendngjarje u thirrën menjëherë shërbimet e emergjencës, ndërsa vajza shtatëvjeçare u transportua në një spital pediatrik. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fëmija ndërroi jetë nga plagët e marra pak pas mbërritjes në spital.

Gjatë momentit kur u ndalua nga kalimtarët, gruaja u plagos dhe u transportua gjithashtu në spital. Sipas autoriteteve, plagët e saj nuk ishin kërcënuese për jetën.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ajo u vu në ndalim policor, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura të dhënat e saj.

Ende i panjohur motivi i sulmit

Autoritetet po hetojnë rrethanat në të cilat ndodhi sulmi, ndërsa mbetet e paqartë nëse gruaja e njihte vajzën shtatëvjeçare.

Gjithashtu, ende nuk dihet motivi i sulmit, ndërsa akuzat ndaj të dyshuarës pritet të bëhen publike pas përfundimit të hetimeve fillestare.

Këshilltarja bashkiake e distriktit të 8-të të Çikagos, Michelle Harris, shprehu dhimbjen e saj për vdekjen e fëmijës.

“Jam thellësisht e tronditur nga sulmi absurd me thikë ndaj një fëmije shtatëvjeçar në lagjen tonë”, deklaroi ajo, duke shprehur mbështetjen e saj për familjen dhe miqtë e vajzës.

Në të njëjtën kohë, ajo falënderoi qytetarët që ndërhynë dhe ndaluan gruan, duke theksuar se reagimi i tyre i menjëhershëm mund të ketë parandaluar plagosje të tjera.

Policia e Çikagos u bëri thirrje kujtdo që disponon informacione për ngjarjen të kontaktojë autoritetet, ndërsa hetimin e ka marrë përsipër njësia kompetente e hetimit të vrasjeve në zonë.

ME TE LEXUARAT