Tirana në festë pas fitores së derbit ndaj Partizanit

Tirana fiton 1-3 në “Air Albania” në derbin e kryeqytetit ndaj Partizanit, të vlefshëm për kampionatin.
Sfida nisi me ritëm të lartë, me të dy skuadrat që treguan dëshirë të madhe që në fillim. Eurogoli i Redon Xhixhës ndezi festën bardheblu në shkallët e stadiumit, në minutën e shtatë.

Të kuqtë u përpiqën që të reagojnë dhe e bënë mjaft mirë diçka të tillë. Shtylla e Aliut ishte sinjal i qartë, ndërsa pak më vonë, Skuka shërbeu për Himallarin, i cili e kishte fare të thjeshtë të dërgonte topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, Tirana bën gjithçka mirë dhe fut në “kasafortë” 3 pikët me dy gola në çerek orëshin e fundit.
Fllimisht Ilievski mposhti portierin kundërshtar, sakaq një penallti e përkthyer në gol nga Kish “vulosi” një herë e mirë fatet e këtij takimi.
Partizani mban vendin e parafundit në rënditje, ndërsa Tirana është e katërta.
Fitorja në derbi ndaj Partizanit ka sjellë festë të madhe në kampin bardheblu. Pas triumfit ndaj rivalëve të përjetshëm, lojtarët e Tiranës dhe tifozët janë bërë bashkë për të festuar këtë sukses.

Atmosfera ka qenë elektrizuese, me përkrahësit e Tiranës që nuk kanë hezituar të këndojnë bashkë me futbollistët.
Ekipi i Dean Klafurić fitoi 1-3, në në sfidë plot spektakël, emocione, shtylla dhe ritëm. Ky ishte derbi i parë i këtij sezoni në Superiore.


