Me pis'toletë të mbushur dhe fishekë në fole, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë

Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi është kapur duke qarkulluar me armë zjarri në automjetin e tij.
Në pranga ka rënë Kledon Hida, i cili është ndaluar gjatë një operacioni nga efektivët e Forcave Shqiponja, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonte i riu, efektivët kanë gjetur një pistoletë me fishekë në fole. Arma e zjarrit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa më pas është dërguar në laboratorin kriminalistik për ekzaminime të mëtejshme.
Ndërkohë, përveç procedurave për armëmbajtjen pa leje, hetuesit po verifikojnë edhe të kaluarën e armës, për të përcaktuar nëse ajo mund të jetë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.
Ekspertët kriminalistikë pritet të kryejnë ekzaminimet përkatëse, ndërsa Policia po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit.
Materialet procedurale i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.


