Spanja, Italia dhe Gjermania bashkojnë forcat në Vlorë, nxirren 41 mina nga deti

Nxirren 41 mina të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore në Gjirin e Vlorës, operacion i përbashkët i katër vendeve
Një operacion i përbashkët ndërkombëtar ka përfunduar me sukses në Gjirin e Vlorës, ku janë nxjerrë nga deti 41 mina dhe predha të mbetura që nga Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore. Në këtë ndërhyrje janë angazhuar anije të specializuara për pastrimin e minave nga Spanja, Italia dhe Gjermania, si dhe ekipe zhytësish nga këto tri shtete dhe Shqipëria.
Lajmi për përfundimin me sukses të operacionit është bërë publik nga Ministria e Mbrojtjes së Spanjës, përmes një postimi në platformën X. Sipas njoftimit, në operacion ka marrë pjesë edhe anija spanjolle e pastrimit të minave “Turia”, pjesë e Marinës Ushtarake të Spanjës.
Ndërhyrja është realizuar në bashkëpunim me anijet italiane dhe gjermane, të angazhuara në forcën detare të NATO-s kundër minave. Përveç mjeteve lundruese, një rol të rëndësishëm në këtë operacion kanë pasur edhe zhytësit specialistë nga të katër vendet, të cilët janë angazhuar në identifikimin dhe nxjerrjen e mjeteve shpërthyese nga fundi i detit.
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes së Spanjës thuhet:
“Anija e pastrimit të minave 'Turia' e @Armada_esp po ndihmon në nxjerrjen e 41 predhave nga Lufta e Parë Botërore dhe Lufta e Dytë Botërore në Gjirin e Vlorës, Shqipëri.
Sukses operacional së bashku me anijet nga Italia dhe Gjermania në forcën detare të NATO-s kundër minave, dhe zhytësit nga të 4 vendet”.
Operacioni përbën një bashkëpunim mes strukturave detare të vendeve pjesëmarrëse dhe Shqipërisë, me qëllim largimin e municioneve të mbetura në ujërat e Gjirit të Vlorës nga dy konfliktet e mëdha botërore.
Prania e këtyre mjeteve shpërthyese në det është një trashëgimi e rrezikshme e luftërave të së kaluarës, ndërsa operacionet e pastrimit synojnë identifikimin dhe largimin e tyre përmes ndërhyrjeve të specializuara dhe koordinimit ndërkombëtar.
⚓ El cazaminas 'Turia' de la @Armada_esp colabora en la recuperación de 41 proyectiles de la I y II Guerra Mundial en la bahía de Vlora, #Albania. 🤿 Éxito operativo junto a buques de Italia y Alemania de la fuerza naval contra minas de la #OTAN, y buceadores de los 4 países. https://t.co/ym6kH5xoKc
— Ministerio Defensa (@Defensagob) November 20, 2026

