E moshuara u gjet e vd'ekur pas 3 ditësh, shërbimi social zbulon: 800 të moshuar jetojnë në vetmi

Në një apartament në lagjen nr 1 të Pogradecit, mbylli sytë në vetmi Zhulejta Ruvina. E moshuara jetonte vetëm, ndërsa fëmijët gjenden në emigrim.
Fiqnjët, thanë se 79-vjeçarja dyshohet se ka ndërruar jetë para tre ditësh. Ata vunë re mungesën dhe njoftuan policinë e cila gjeti trupin e pajetë mbremjen e së enjtes.
E moshuara, nuk konsiderohet e braktisur dhe as kishte kërkuar ndihmë në institucione. Nuk vuante nga ndonjë sëmundje dhe dyshohet se vdekja pa ardhur për shkaqe natyrore. Po sipas fqinjëve, fëmijët edhe pse në distancë kujdeseshin për 79-vjeçaren. Madje, gjatë vitit, një periudhë kohe qëndronte tek fëmijët në SHBA, por ishte kthyer muajt e fundit ne vendlindje.
Kjo është një dramë sociale që ka prekur moshën e tretë ne mbarë vendin. Shërbimi Social në Pogradec thotë se ka evidentuar rreth 800 të moshuar që jetojnë vetëm, por nuk kanë kapacitete për t’u ofruar shërbim në banesë.
Një qendër rezidenciale për të moshuarit e vetmuar do të ishte zgjidhja, thotë drejtuesja e Shërbimit Social.
Në qarkun e Korçës jetojnë mbi 60 mijë pensionistë, ndersa nje pjese prej tyre jetojne vetem ne banesa dhe pa përkujdesje.


