Kontroll në qelinë e Veliajt në Fier, pas reagimit ndaj Belinda Ballukut: Lapsin dhe letrën nuk ma marrin dot

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ushtruar një kontroll në qelinë ku mbahet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit. Kontrolli është kryer menjëherë pas publikimit në media të një tjetër reagimi të Veliajt në rrjetet sociale, këtë herë drejtuar ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas informacioneve, gjatë kontrollit të ushtruar në qelinë e tij nuk është konstatuar asnjë send i paligjshëm. Ndërkohë, Veliaj është shprehur se nuk mund t'i hiqet mundësia për të shkruar, duke deklaruar se lapsin dhe letrën nuk mund t'ia marrin dot.
Reagimi i fundit vjen pas një tjetër komunikimi të tij, ku Veliaj i drejtohej personalisht Belinda Ballukut, duke e cilësuar si një person që mund të ndikonte në zgjidhjen e një kërkese të tij.
Në letrën e publikuar më herët, të adresuar “Znj. Balluku – Drejtoresha e Qarkut Fier”, Veliaj kërkonte miratimin për kryerjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale në Tiranë, pranë mjekut dhe familjarëve të tij. Ai pretendonte se kishte pësuar një dëmtim në këmbë dhe se kishte nevojë për një operacion.
Në të njëjtin komunikim, kryebashkiaku shprehej me tone kritike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke shkruar: “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim”, ndërsa shtonte se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”.
Në fund të letrës, Veliaj e kishte mbyllur mesazhin me shprehjen “Socialisti me duar të lidhura”, duke vendosur edhe emrin e tij.
Publikimi i këtyre komunikimeve ka rikthyer vëmendjen te mënyra se si Veliaj vijon të komunikojë nga burgu, përmes mesazheve dhe letrave që më pas bëhen publike. Kontrolli në qelinë e tij është kryer në këtë kontekst, ndërsa, sipas informacioneve, nuk është gjetur asnjë material i ndaluar.


