Shqiptari që grabiti familjen mbretërore britanike, Daily Mail: Hyri 3 herë në Britani brenda 4 viteve

Një person i dyshuar për vjedhje, i akuzuar për hyrjen me forcë në pronën e Princit dhe Princeshës së Uellsit, pretendohet se është një emigrant që ka mbërritur në Britani me gomone tri herë gjatë katër viteve të fundit, shkruan Daily Mail.
Arilen Ndoci, 32 vjeç, thuhet se ka mbërritur në Britani jo vetëm duke kaluar Kanalin Anglez me një gomone, por edhe në një rast tjetër duke udhëtuar me avion.
Ai dhe bashkëkombësi shqiptar Mirgen Doku, 34 vjeç, akuzohen për hyrjen me forcë në Anmer Hall, në Norfolk, dhe vjedhjen e gjashtë palë manshetave dhe një ore nga shtëpia e William dhe Kate.
Ministria e Brendshme britanike (Home Office) i ka përshkruar të dy personat si individë që qëndrojnë ilegalisht në Britani dhe që nuk kanë asnjë status emigracioni.
Sipas pretendimeve, ata kishin mbërritur për herë të fundit në Britani gjashtë muaj përpara vjedhjes së dyshuar.
Policia u thirr në Anmer Hall, në pronën mbretërore Sandringham të Mbretit, në Norfolk, pak para orës 18:00 të së hënës, pas raportimeve për aktivitet të dyshimtë. Dy të dyshuarit u arrestuan në afërsi të pronës.
Princi William, Princesha Catherine dhe fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në banesën e tyre kryesore në Windsor në momentin e grabitjes.
Ndoci dhe Doku dolën dje përpara Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, të akuzuar për vjedhje me thyerje dhe hyrje të paautorizuar në një zonë të mbrojtur.
Në gjykatë u tha se të dy të dyshuarit janë shtetas shqiptarë që kanë hyrë ilegalisht në vend. Një i dyshuar i tretë vijon të jetë në kërkim.


