Shqiptari i kërkuar nga Interpoli arrestohet në Angli, i mori fjalëkalimin e iCloud-it dhe përndiqte vajzën (EMRI)

Një i ri shqiptar i kërkuar nga Interpol Tirana pasi i kishte vjedhur një vajze fjalëkalimin e llogarisë iCloud dhe e kërcënonte, është arrestuar në Angli për qëllim ekstradimi në vendin tonë. Nga të dhënat e gjykatës së ekstradimeve City of Westminster Magistrate Court , i arrestuar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar me kërkesë të Shqipërisë është Arlind Cenga.
Kësaj gjykate iu tha se 30 vjeçari shqiptar midis datave 17 maj 2021 dhe 30 qershor 2021, ka ndjekur një sjellje të vazhdueshme kërcënuese pasi siguroi fjalëkalimin e llogarisë iCloud të një vajze me inicialet Z.Q pa dijeninë e saj, duke e ngacmuar vazhdimisht nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe telefonit, duke krijuar profile të rreme, duke dëmtuar reputacionin e saj si pronare e një biznesi, si dhe duke e fyer dhe kërcënuar atë.
Këto sipas prokurorit anglez i cili përfaqësonte Shtetin Shqiptarë përbënin veprën penale të përndjekjes, duke i shkaktuar asaj frikë ose shqetësim serioz, të cilat patën një ndikim të konsiderueshëm negativ në aktivitetet e saj të zakonshme të përditshme.
Arlind Cenga do të dalë përsëri përpara kësaj gjykate më 19/10/2026./T


