"Turp", Balla reagon për protestën: Seksioni i dhu'nës së Saliut, Gones e llapaqorrëve

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për përplasjet dhe episodet e dhunës të regjistruara gjatë protestës së sotme të opozitës në Tiranë, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka publikuar pamje nga tubimi, ku shfaqen disa prej momenteve të tensionuara dhe përplasjeve mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë. Krahas pamjeve, deputeti socialist ka komentuar situatën, duke pretenduar se personat që po kryejnë akte dhune janë të angazhuar nga parti të ndryshme politike.
Në reagimin e tij, Balla iu referua drejtuesve të opozitës Sali Berisha, Agron Shehaj dhe Arlind Qorri, duke i lidhur ata me personat që, sipas tij, po shkaktojnë incidente gjatë protestës.
“Ja dhe seksioni i dhunës së Saliut, përzierë me ndonjë gone e llapaqorrë, hyzmeqarë të turpshëm të duarve të huaja që sulmojnë Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë. TURP!”, shkruan Balla.
Reagimi i kreut të grupit parlamentar socialist vjen në një moment kur protesta është shoqëruar me tensione, përplasje dhe përdorim të mjeteve të ndërhyrjes nga Policia. Ndërsa situata në terren ka prodhuar një sërë incidentesh, deklarata e Ballës përbën edhe një tjetër reagim politik ndaj zhvillimeve të protestës.
Deri në këtë reagim, Balla nuk ka paraqitur në postimin e tij prova konkrete për pretendimin se personat e përfshirë në aktet e dhunës janë të angazhuar nga partitë politike.


