Shqipëria në majën e botës, Lara Colturi: Është një moment shumë i rëndësishëm
Lara Colturi nuk e fsheh emocionin pas fitores historike në Gurgl të Austrisë. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare ka realizuar një arritje të jashtëzakonshme, duke siguruar suksesin e parë në karrierën e saj në Kupën e Botës dhe njëkohësisht fitoren e parë shqiptare në këtë kompeticion.
Pas triumfit në garën e sllallomit, 20-vjeçarja ka shprehur lumturinë për rezultatin, duke theksuar se kjo arritje është një dëshmi se puna e bërë deri më tani po jep frytet e saj.
“Jam shumë e lumtur. Tani skitë alpine po bëhen gjithnjë e më të famshme në Shqipëri falë meje. Kjo është një çmenduri. Gjithnjë e më shumë njerëz po i ndjekin garat, prandaj, ky është një moment shumë i rëndësishëm”, është shprehur Colturi.
Colturi e mbylli garën me kohën 1 minutë, 45 sekonda e 47 të qindtat, duke lënë pas suedezet Sara Hector dhe Anna Swenn Larsson. Ky triumf erdhi pas dy vendeve të dyta në garat e para të sezonit, në Sölden dhe Levi.
Me këtë fitore, Colturi konfirmon formën e shkëlqyer që po kalon dhe merr kryesimin e renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës, duke e kthyer Shqipërinë në protagoniste të skive alpine botërore.