Moderatorja Zana Avdiu ndez debatin: “Shqiptarët na humbën si turistë, s’duhej t’i përbuznit turistët kosovarë”

Moderatorja e njohur nga Kosova, Zana Avdiu, ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, pas një postimi të drejtpërdrejtë ku kritikon mënyrën sesi janë trajtuar turistët kosovarë gjatë pushimeve në Shqipëri.
Në një deklaratë të hapur në rrjetet sociale, Avdiu u shpreh me tone të ashpra:
“Shqipnia i paska nis mu anku, pse s’po shkojnë kosovarët mo. Qitash ju paska ra në mend, që u dashtë me na pritë mirë. Vonë pak. U dashtë mos me e përbuz turistin kosovar.”

Sipas saj, për vite me radhë kosovarët kanë qenë ndër turistët më besnikë në Shqipëri, por janë përballur me përbuzje, shërbim të dobët dhe qëndrime paragjykuese. Ajo thekson se ndonëse mund të ketë pasur raste të pakëndshme nga individë të veçantë, kjo nuk justifikon përçmimin e përgjithshëm që, sipas saj, u është bërë të gjithë pushuesve nga Kosova.
“Asnjë kosovar e as diaspora nuk e ka merituar aq përbuzje,” thekson moderatorja, duke i bërë thirrje shqiptarëve të Shqipërisë të reflektojnë për sjelljen ndaj bashkëkombësve të tyre.
Postimi i saj ka hapur një debat të nxehtë mes komentuesve, ku një pjesë mbështet kritikat e saj, ndërsa të tjerë i kundërvihen, duke i konsideruar si të ekzagjeruara.
Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur është vënë re një rënie e dukshme e numrit të turistëve nga Kosova në bregdetin shqiptar, me shumë prej tyre që po zgjedhin destinacione të tjera si Mali i Zi apo Greqia, duke përmendur si arsye çmimet e larta dhe mungesën e mikpritjes.
Çështja mbetet e hapur dhe me shumë gjasë do të vijojë të diskutohet në javët në vijim.


