Kanosje me armë zjarri në zonën e “Kthesës së Kamzës”, në pranga dy vëllezër

Një konflikt për motive të dobëta në zonën e “Kthesës së Kamzës” në Tiranë ka degjeneruar në kanosje me armë zjarri. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, janë arrestuar dy vëllezër, të cilët dyshohet se janë përfshirë në ngjarje.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin Nr. 7, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin L. M., 27 vjeç, i cili akuzohet për “Kanosje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”. Ai dyshohet se gjatë një konflikti ka kërcënuar me armë zjarri një 32-vjeçar, shtetasin A. R.
Menjëherë pas ngjarjes, vëllai i tij R. M., 25 vjeç, ka ndërhyrë duke fshehur armën e përdorur, çka ka sjellë edhe arrestimin e tij për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Gjatë kontrollit në banesën e autorit u sekuestruan: arma e zjarrit me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe një automjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Policia vijon hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.


