Vrasje për gjakmarrje/ Detaje nga ekzekutimi i Frrok Lleshaj, dyshohet se autori përdori pistoletë me silenciator

Aktualitet

Vrasje për gjakmarrje/ Detaje nga ekzekutimi i Frrok Lleshaj, dyshohet se

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi i Frrok Lleshajt, 65 vjeç, i vrarë mbrëmjen e 4 gushtit në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Nga deklarimet paraprake të banorëve të zonës, askush nuk ka dëgjuar të shtëna, duke ngritur dyshimet se autori ka përdorur pistoletë me silenciator.

Trupi i pajetë është gjetur nga një prej fqinjëve, i cili më pas ka njoftuar bashkëshorten e viktimës dhe më tej policinë. Viktima u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i vdekur në vend.

Gjakmarrja, në krye të hetimeve

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, pista kryesore e ngjarjes lidhet me gjakmarrjen. Familja Lleshaj ka një histori të gjatë hasmërie me dy familje të tjera, që nga fillimi i viteve ’90. Konflikti ka prodhuar deri më tani pesë viktima.

Frrok Lleshaj është viktima e pestë dhe i treti në familjen e tij, pas vrasjes së djalit dhe vëllait të tij. Ndërkaq, janë vrarë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Historia nisi më 1991 kur djali i Frrok Lleshajt u vra në Greqi, në rrethana të paqarta. Megjithëse fillimisht u pretendua se autor ishte policia greke, familja Lleshaj dyshonte për përfshirjen e kushërinjve të tyre. Më vonë dyshohet se Frrok Lleshaj vrau Dodë Lleshajn për të marrë gjakun e të birit – vepër që ai nuk e pranoi kurrë zyrtarisht.

Konflikti tjetër i përgjakshëm u regjistrua me një familje nga Puka, kur Frrok Lleshaj u dënua me 25 vite burg për vrasjen e një shtetasi, të cilën e pranoi para gjykatës. Në hakmarrje, më pas u vra edhe vëllai i tij.

Hetimet – disa të shoqëruar, por pa të ndaluar

Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit, përfshirë të afërm dhe banorë të zonës, por deri më tani nuk ka ndonjë të ndaluar zyrtar. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ekzekutimit që, sipas të gjitha gjasave, është akt gjakmarrjeje.

Për momentin, autoritetet nuk përjashtojnë as pista të tjera për motivin e vrasjes, por fokusi mbetet tek hasmëria e vjetër që i mori jetën 65-vjeçarit.

ME TE LEXUARAT