SHBA godet me avion ushtarak anijen e mallrave në Gjirin e Omanit, tentoi të thyente bllokadën detare

Një avion ushtarak amerikan ka goditur anijen e mallrave M/V Huda në Gjirin e Omanit, të shtunën, më 7 nëntor. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), avioni përdori municione precize duke goditur pjesën e pasme të anijes, me qëllim bllokimin e saj.
Anija, e cila valëviste flamurin e Shën Kitsit dhe Nevisit, i ishte afruar një porti iranian dhe po përpiqej të largohej nga zona. Sipas autoriteteve amerikane, ekuipazhi kishte injoruar paralajmërimet e përsëritura dhe ishte përpjekur disa herë të shkelte bllokadën detare.
Përpara sulmit, forcat amerikane u kishin kërkuar anëtarëve të ekuipazhit të largoheshin nga zonat e synuara. Në deklaratën e saj, CENTCOM nuk bëri të ditur nëse kishte persona të lënduar apo sa ishte shkalla e dëmeve në anije.
Në raportin e saj, komanda amerikane bëri të ditur se 147 anije tregtare iu bindën urdhrave të forcave amerikane dhe ndryshuan kurs, ndërsa pesë të tjera u ndaluan pasi, sipas saj, refuzuan të zbatonin urdhrat.
CENTCOM deklaroi gjithashtu se më herët kishte shkatërruar dhjetë cisterna iraniane, të cilat i lidh me një rrjet të Gardës Revolucionare.
Sulmi ndaj anijes Huda është i pari i njoftuar nga SHBA-ja ndaj një anijeje mallrash në gati një muaj. Më 10 tetor, forcat amerikane kishin goditur cisternën Ocean Molica në të njëjtin gji, e cila, sipas palës amerikane, kishte lundruar gjithashtu nga një port iranian.


