Pas skemës së MCA dhe FINAL, ndryshon ligji për kreditë, kufizohen interesat dhe penalitetet për qytetarët

Me qindra qytetarë ranë pre e një skeme mashtrimi me kreditë, skemë që u zbulua më shumë se dy vite më parë, ku dy subjekte MCA e FINAL të licencuara për aktivitetin e mbledhjes së kredive më probleme që iu kishin shitur bankat, iu rritën detyrimet qytetarëve përmes interesave dhe gjobave, mbi rregullat e caktuara nga Banka e Shqipërisë.
Pas kësaj skeme që u prekën direkt dhe indirekt gati 100 mijë qytetarë, Banka e Shqipërisë kërkoi që të bëhen ndryshime ligjore, për t’i kufizuar me ligj interesat dhe gjobat.
Përmes ligjit të ri të miratuar në Kuvend, që pritet të hyjë në fuqi, për herë të parë në ligjin “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, janë përcaktuar 2 nene që do të rregullojnë këtë boshllëk që ekzistonte.
Në nenin 152 thuhet se “norma maksimale efektive vjetore e interesit e një marrëveshjeje kredie konsumatore do të përcaktohet me udhëzim të përbashkët ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe ministrisë përgjegjëse për çështjet në fushën e mbrojtjes së konsumatorit”, dhe brenda saj do të përfshihen të gjitha tarifat, komisionet dhe kostot e tjera që lidhen me kredinë.
Në pikën 3 të këtij neni theksohet se çdo dispozitë kontraktuale që parashikon një normë efektive maksimale vjetore interesi mbi kufirin e lejuar është absolutisht e pavlefshme. Aktualisht norma maksimale caktohet me rregullore të Bankës së Shqipërisë, dhe rishikohet çdo gjashtë muaj.
Gjithashtu ligji i miratuar, parashikon edhe ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit, që është organi përgjegjës për të mbrojtur interesat e konsumatorit në treg. Kjo agjenci do të ketë të drejtën të hetojë madje edhe të ndalojë tregtarët të shesin mallra apo të ofrojnë shërbime nëse konstatohen shkelje e të drejtave të konsumatorëve.
Ndërsa me një tjetër ligj të ri që aktualisht është në proces konsultimi do tu ndalohet subjekteve që blejnë dhe mbledhin kredi të këqija, të vendosin interesa, penalitete, komisione apo tarifa më të larta se ato që parashikoheshin në marrëveshjen fillestare të kredisë. Gjithashtu këto subjekte as nuk do të japin kredi të reja pasi, me skemën e 2024-ës, u konstatua se ato përdorën si metodë për të shlyer borxhin e vjetër edhe marrjen e një kredie të re, që i çoi qytetarët deri në humbje të banesave të tyre.


